Dy boksierët e ekipit kombëtar, Kristian Jubani dhe Jurgen Lazri, të cilët në kampionatin shqiptar përfaqësojnë ekipin e ri “Tërbuni Boks” të drejtuar nga trajnerët Emiliano dhe Klaudio Çekini, kanë bërë një paraqitje dinjitoze në Kampionatin Ballkanik të Boksit, i zhvilluar në Serbi.
Boksieri Jurgen Lazri, konkurues në peshën deri në 63 kg, i cili fitoi në turin e parë me epërsi të thellë 5-0 ndaj rivalit nga Moldavia Igor Nazarov, në turin final humbi me rumanin, Florin Ulmeanu, kampion i Europës, duke u renditur në vendin e tretë si dhe fitimin e medaljes së bronztë.
Ndërkohë, me shumë interes është pritur boksimi i Kristian Jubanit, konkurues në peshën deri në 48 kg, i cili u ballafaqua në finale me rivalin e tij nga Rumania, Serban Stoica. Bazuar në vlerat që disponon Jubani, i cili vinte në këtë Ballkaniadë në cilësinë e nënkampionit të Europës, stafi i kombëtares kuqezi ishte optimist që boksieri shqiptar do të arrinte suksesin e fitimit të medaljes së Artë në këtë Ballkaniadë. Por, për mënyrën sesi u zhvillua ndeshja, gjë që pasqyrohet edhe në videon e ndeshjes që shoqëron shkrimin, janë të mendimit që gjykimi i kësaj ndeshje ishte i njëanshëm në favor të boksierit rumun.
“Një ndeshje e vjedhur sot ndaj boksierit tonë Kristian Jubani, nga gjygjtaria e Kampionatit Ballkanik në Serbi, e cila kryesohet nga kryegjygjtari me kombësi Rumune, të njëjtë me atë të kundërshtarit të boksierit tonë. Një padrejtësi e madhe ju bë sot një talenti të boksit, jo vetem Shqipetar por edhe Botëror, por ne krenohemi me boksimin e tij të shkelqyer që zhvilloi në këtë duel dhe bëri diference të dukshme me kundërshtarin, por kjo ishte e pamjaftueshme për arbitrat që gjykuan ndeshjen. Kokën lart kampion, ti premton të ardhmen e shkëlqyer të boksit Shqipëtar. Kristian Jubani, “ti je kampion”. Ekipi “Tërbuni Boks”, ka një brez të shkëlqyer në gjirin e tij, së fundmi në Kampionatin Ballkanik 2024 morëm 2 medalje, konkretisht: KRISTIAN JUBANI, Nënnkampion Ballkani dhe JURGEN LAZRI, vendi i 3-të në Ballkan.”, komentojnë publikisht, trajnerët e “Tërbuni Boks” dhe të ekipit kombëtar, Emiliano dhe Klaudio Çekini.
(Video) Pamje nga ndeshja finale të Kampionatit Ballkanik të boksit për peshën 48 kg: Kristian Jubani(Shqipëri)- Serban Stoica(Rumani), si dhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve në Ballkaniadë.