Shkodra është gati të mirëpresës Turneun Ndërkombëtar të Boksit, “Memorial Vllaznia 2026”. Një turne ky tashmë tradicional që organizohet për të 23-tën herë në Shkodër në nderim të ish boksierëve shkodranë që sot nuk jetojnë.
Ndeshjet në fjalë do të zhvillohen për dy ditë me radhë, të premten dhe të shtunën, në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Në një prononcim për Veriu Sport, Kryetrajneri i Vllaznisë, Zef Gjoni, bën të ditur se në këtë edicion të radhës do të ketë një pjesëmarrje të gjërë të boksierëve, shqiptarë, dhe sidomos të huaj, të cilët pritet t’i japin bukuri dhe spektakël aktivitetit.
Pjesë e këtij aktiviteti është planifikuar të ketë edhe një ceremoni zyrtare në nderim të tre ish boksierëve dhe në vazhdim gjyqtarë të njohur cilësor të sportit të boksit, Fadil Zhega, Ramiz Rraboshta dhe Kolec Shpati.
Në program, pjesën kryesore të aktivitetit pritet ta zënë ndeshjet amatore-olimpike, ndërkohë që janë planifikuar edhe tre ndeshje profesioniste, të cilat ia shtojnë edhe më shumë bukurinë turneut.
Dita e parë e Turneut Ndërkombëtar i Boksit, “Memoria Vllaznia 2026” do ët zhvillohet pasditen e së premtes duke filluar nga ora 17:00, ndërkohë që finalet janë planifikuar të zhvillohen paraditen e së shtunës duke nisur nga ora 11:00.
(Video) Prononcimin e plotë të kryetrajnerit të boksit Vllaznia, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.


