Boksierët e Vllaznisë 26-të herë kampion të Shqipërisë janë në përgatitjet e fundit për Kampionatin Kombëtar për të rritur, i cili këtë sezon zhvillohet në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.
Në një prononcim të dhënë për Veriu Sport, trajneri i Vllaznisë dhe ekipit kombëtar, Zef Gjoni, bën të ditur se në formacionin bazë, ka dy mungesa shumë të rëndësishme me boksierë kampion të peshës së lehtë dhe të rëndë, të cilët nuk mund të konkurojnë për arsye shëndetësore.
Gjithësesi, tekniku Gjoni shton se nga ana e tij dhe e kolegëve Lazarin Vila dhe Jetmir Kuçi, janë marrë masat e duhura për të formatuar një formacion fitues, mes të cilëve është blerja e një prej boksierëve më të mirë të Shqipërisë, Alban Barmeta.
Por, përmes kësaj, kryetrajneri Gjoni, vlerëson edhe boksierin e talentuar Bekim Vjerdha, i cili, për interesa të ekipit, do të sakrifikojë për të konkuruar në peshën e rëndë, dy pesha më shumë se ajo aktualja e tij.
Sa i përket objektivit, trajneri Gjoni thotë se synon të fitoj trofeun e radhës, i 27-ti, që nëse realizohet është një rekord në boksin shqiptar. Por, ndër të tjera, kreu i boksit shkodran, është në pritje të një mbështetje financiare nga ana e Bashkisë Shkodër.
(Video) Prononcimin e plotë të kryetrajnerit të boksit Zef Gjoni, si dhe pamje nga seancë stërvitore e Vllazisë në prag të kampionatit, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.