(Video) Botërori 2026/ Strakosha & Hoxha në konferencë shtypi: E kemi studiuar mirë Serbinë, për ne vlejnë vetëm tre pikët

Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Skuadra ka nisur përgatitjet zyrtare prej ditës së hënë, teksa tashmë trajneri Silvinjo ka në dispozicion të gjithë ekipin.

Dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha dhe Arbër Hoxha dolën sot në konferencën zyrtare për media, ku iu përgjigjën interesit dhe pyetjeve të gazetarëve lidhur me këtë sfidë.

Portieri i Kombëtares, Thomas Strakosha tha përpara gazetarëve se skuadra ndihet gati për këtë sfidë dhe që do të futen në fushë për të marrë tre pikët. Ai tregoi se ekipi e ka studiuar mirë Serbinë dhe se çfarë duhet të ketë parasysh për këtë takim. Në fund, Strakosha tha se ndeshja ndaj Serbisë është njëlloj si të gjitha sfidat e tjera, një ndeshje futbolli.

Përballja me Sërbinë – Nuk e shikoj vetëm personalisht, i gjithë grupi duhet të punojë mirë. Eshte nje ekip me shumë kualitet dhe eksperiencë. Ka bërë dy ndeshje të mira tani në fund. Por edhe ne kemi kualitet dhe mund ta përballojmë mirë këtë ndeshje. Jemi gati.

Si po e përjeton grupi këtë ndeshje? – Të gjithë çunat janë të përgatitur mirë, kanë emocione si në çdo ndeshje. Për tifozët është diçka më shumë. Po për ne vlen tre pikëshi dhe duam ta përballojmë mirë ndeshjen dhe t’i bëjmë tifozët të lumtur dhe të gëzojmë të gjithë bashkë.

Ndeshja me Serbinë nuk është si gjithë të tjerat – Ne e shikojmë nga ana sportive, vlejnë tre pikët. Duhet të tregojmë që e meritojmë një botëror dhe ndeshja me Serbinë është më e rëndësishmja tani për tani për të vazhduar ëndrrën tonë që është Botërori. Ne e kemi përgatitur shumë mirë ndeshjen deri tani, çunat janë pozitivë. Besoj mund t’ia dalim.

Çfarë duhet të kesh parasysh si portier? – Në goditje standarde janë të mirë, krosojnë mirë në zonë. E rëndësishme është që të jemi të gjithë të përqëndruar, mos të vijë topi deri aty. Besoj kemi treguar edhe me kundërshtarë edhe më të vështirë që kemi grupin e mirë. I dimë gabimet tona dhe do provojmë mos ta bëjmë më.

Kujt lojtari i druheni më tepër? – Një lojtar veç jo, por si ekip e dimë që në kundërsulm dhe goditje standarde janë shumë të mirë. E kemi përgatitur ndeshjen si ekip dhe jo individualisht.

Një thirrje për tifozët shqiptarë – Një thirrje të veçantë jo, është një ndeshje futbolli. Çfarë ka ndodhur jashtë është tjetër gjë. Të gjithë tifozët na kanë mbështetur kudo dhe besoj se do të na mbështesin edhe në këtë ndeshje. Kam respekt për çdo tifoz shqiptar sepse na kanë mbështetur.

Sa gati jeni për këtë ndeshje – Në karrierën time kam pasur edhe momente ku nuk kam luajtur. Nuk besoj që është problem, pasi stërvitem gjithmonë. Ndihem gati dhe jam mirë.

E vështirë të përqëndrohesh në fushë në këtë ndeshje? A mund të vendoset vendi i dytë në këtë sfidë? – Ne jemi profesionistë dhe përqëndrohemi në çdo ndeshje ashtu si duhet. Do jetë një ndeshje e rëndësishme po, po jo që vendos se cili ekip renditet në vendin e dytë apo të tretë. Është një ndeshje e vështire, ku duhet të japim maksimumin. Nuk mbaron asgjë tani.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu