Me seancën stërvitore të mesditës së sotme, kuqeblutë e Vllaznisë kanë mbyllur përgatitjet anti-Elbasan, dhe menjëherë janë nisur drejt Elbasanit, aty ku do të përballet pasditën e së shtunës në stadiumin “Elbasan Arena” me ekipin vendas. Një ditë para kësaj sfide, e cila nis ashtu si edhe të gjitha të tjerat e javës së 35-të, në të njëjtën orar, 15:30, trajneri i kuqebluve Tomas Brdariç, teksa komunikoi me gazetarët shkodranë, shprehu besimin se Vllaznia do ta kalojë provën e vështirë të Elbasanit duke kërkuar dy vendet e para të klasifikimit, për të shkuar në “Final 4” sa më të plotë në drejtim të fitores së trofeut.
“Kemi punuar fort për të arritur këtu ku jemi, nuk na ka ardhur si dhuratë nga lart, ka qenë mjaft punë, objektiva të qartë të ekipit. Duam të vazhdojmë këtë rrugë dhe rruga jonë ska përfunduar. Nesër me Elbasanin mund të jetë ndeshja më e fortë e sezonit, përballemi me një nga ekipet më të forta të Superligës, kanë pasur një seri të gjatë fitoresh, kemi një sfidë shumë të bukur dhe të provojmë që të mos lejojmë ata të hyjnë në “Final Four”. Më në fund u shpërblyem për fitoren, ishte javë e kaluar me sukses, shkoi siç e kishim planifikuar, vazhdojmë kështu.
Unë mendoj vetëm për ndeshjen tonë, ajo është deçizive për ne, ti tregojmë tifozëve dhe bordit që jemi gati të shkojmë për hapin e radhës. Është një ëndërr, të shohim çdo të ndodhë pas kësaj fundjave, e dimë që kemi mundësi për të bërë ndeshje të mira, çdo gjë është e mundur deri në fund, e fundit është që të jemi aty, dy vendet e para. Duhet të jemi të fokusuar, ka mjaft kundërshtarë kundër Vllaznisë, mezi po pres që të luajmë nesër dhe të vazhdojë loja.
Për mua është diçka speciale ajo që kemi arritur, privilegj që kemi arritur këtu, janë disa ndeshje ose pikë që mund të kishim marrë, gjithmonë ka diçka që mund ta rrisim. Jam shumë i lumtur që Vllaznia është në këtë situatë, në aspektin personal nuk kam shumë kohë që të mendoj për sezonin e ardhshëm dhe fokusi është vetëm këtë javë. Kemi ndeshje të forta dhe objektivi kryesor ishte sigurimi i “Final Four”, e dyta sigurimi i Europës që mund të jetë këtë javë dhe e treta që e kemi në mesjavë, të shkojmë në finalen e Kupës, por jam i sigurt që ekipi i Vllaznisë bashkë me bordin në sezonin e ardhshëm do të jetë në të njëjtin pozicion si këtë sezon”, tha ndër të tjera njëshi I pankinës kuqeblu, Tomas Brdariç.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit Tomas Brdariç, në pragndeshjen, Elbasani-Vllaznia, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.