Marjo Mitaj, Jurgen Uldedaj, Armando Broja, shpallen “Qytetar Nderi” të Malësisë së Madhe. Titujt në fjalë janë dorëzuar përmes një ceremonie zyrtare të organizuar sot në sallën e Këshillit Bashkiak të Malësisë së Madhe.

Në respekt të dy futbolistëve të Kombëtares Mario Mitaj dhe Armando Broja si dhe kampionit të botës në boks Jurgen Uldedaj, që të tre me origjinë nga kjo trevë, të pranishëm në Koplik të kryqëndrës së Malësisë së Madhe, ishin edhe dy deputetet e Qarkut Shkodër, Marjana Koçeku dhe Bujar Rexha, ish deputeti Paulin Stërkaj, këshilltarë dhe pushtetarë vendore, familjarë të sportistëve, qytetarë nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, etj.

E hapur me interpretimin e Himnit të Flamurit, ceremonia në fjalë ka vijuar me fjalën e Kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj, i cili ndër të të tjera, tha:
“Ky vlerësim vjen si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar në sportin shqiptar dhe për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Përmes talentit, përkushtimit dhe disiplinës së tyre, ata janë shndërruar në modele frymëzimi për brezat e rinj dhe në burim krenarie për mbarë kombin shqiptar.
Malësia e Madhe ndihet e nderuar dhe krenare për bijtë e saj, që me arritjet e tyre vazhdojnë të lartësojnë emrin e kësaj treve dhe të gjithë Shqipërisë. Suksese, kampionë! Krenarë për ju!”
Në vijim, kryebashkiaku Tonin Marinaj, i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi” futbollistit të kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, i cili ishte vetë prezent në ceremoni. Gjithashtu, në mungesë të kampionit të boksit, Jurgen Uldedaj dhe futbollistit tjetër të kombëtares, Armando Broja, zoti Marinaj, i dorëzoi titujt “Qytetar Nderi” familjarëve të tyre.
Në mbyllje të ceremonisë zyrtare, ka qënë futbollisti i kombëtares Marjo Mitaj, i cili në shenjë falenderimi dhe mirënjohje për kreun e Bashkisë, i dhuroi atij, uniformën e tij të kombëtares me numër 3 dhe me nënshkrimin e tij personal.
(Video) Ceremoninë e plotë zyrtare të shpalljes “Qytetar Nderi” të Marjo Mitaj, Jurgen Uldedaj, Armando Broja, organizuar sot në Bashkinë Malësia e Madhe, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


