Armando Cungu, pas grumbullimit tre ditor me lojtarë të kampionatit vendas, tani është fokusuar te ndeshjet miqësore me Kosovën U-19, më 26 dhe 29 mars. Trajneri shkodran i Shqipërisë U19 ka mundësinë të shohë shumë lojtarë në këto dy ndeshje, kryesisht ata që luajnë në kampionate jashtë vendit tonë.
Cungu është besimplotë që edhe grupmosha e këtij edicioni ka cilësi. Për “fshf.org” trajneri i kuqezinjve u shpreh nga grumbullimi me kombëtaren U-19: “Është stërvitja e dytë që po zhvillojmë. Pothuajse tani grupi është i plotë, erdhën edhe lojtarët e fundit.
Në ditët në vazhdim do të kemi një ide më të qartë, por megjithatë jam i bindur që ashtu si grupmoshat 2003 që bënë prezantim shumë të mirë vjet, edhe ditëlindja 2004 ka elementë që do të ndihmojnë jo vetëm 19-vjeçarët e Shqipërisë, por mund të shkojnë drejt kombëtares së madhe. Patjetër shpresat mbesin te këta elementë”.
Në listën e lojtarëve të grumbulluar ranë në sy më shumë futbollistë nga jashtë dhe Cungu sqaron pse ka bërë këtë zgjedhje. “Këto janë të vetmet mundësi për të parë lojtarë që vijnë nga kampionatet e huaja. Janë data të lira nga UEFA dhe kemi mundësi t’i ftojmë. Klubet e kanë për detyrë për t’i lënë të lirë që t’i shërbejnë kombëtareve.
Në datat e tjera më shumë jemi fokusuar dhe do të fokusohemi te kampionati shqiptar, pasi është e pamundur të ftojmë nga jashtë për shkak se nuk mund t’i marrim dot. Vetëm me Kosovën janë datat e UEFA-s dhe në qershor që do të kemi dy ndeshjet me Malin e Zi, më 5 dhe 7 qershor. Aty do shikojmë një pjesë tjetër të lojtarëve që janë në listat tona, por nuk kemi pasur mundësi për t’i parë. Janë lojtarë të kampionateve të huaja”, përfundoi Cungu.
Të gjitha këto ndeshje miqësore i shërbejnë trajnerit të Shqipërisë U-19 për eliminatoret e Europianit 2022-2023. Kuqezinjtë janë shortuar në Grupin 7 me Spanjën, Belgjikën dhe Rusinë. Ndeshjet do të luhen në Belgjikë në datat 21, 24 dhe 27 shtator 2022.
(Video: Prononcimi i trajnerit të kombëtares U-19, Armando Cungu)