Vllaznia-Besëlidhja, 72-81(22-20, 22-28, 18-15, 10-18)
Java e 13-të e Superligës së basketbollit për meshkuj ka rezervuar përballjen e derbit verior në mes Vllaznisë dhe Besëlidhjes. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është ndjekur me interes, jo vetem nga tifozëria shkodrane, por edhe një pjesë e ardhur nga qyteti i Lezhës për të mbështetur ekipin e tyre, i cili vinte në Shkodër si kryesues i kampionatit me 24 pikë.
Nga ana tjetër Vllaznia pritëse, në prag të javës së 13-të renditej në vendin e tretë me 17 pikë, por me një progress të dukshëm të javëve të fundit, dhe sidomos me dy fitoret radhazi ndaj Tiranës, e para për kampionat dhe e dytë për llogari të Ligës Unike.
Një ndeshje që nisi me avantazhin e Besëlidhjes së drejtuar nga trajneri shkodran Afrim Bilali, por që shumë shpejt është Vllaznia e drejtuar nga tekniku Eni Llazani që falë disa pikëve radhazi të amerikanit Ëilkins, barazon dhe kalon në avantazh deri edhe në 10 pikë. Skuadra lezhjane përmirësohet, dhe në minutat të periodës së parë arrin ta shkurtojë diferencen deri në dy pikë duke e mbyllur këtë periodë 22-20 për Vllazninë.
Besëlidhja vazhdon të luajë mirë edhe në periodën e dytë, të cilën e fiton me shifrat 22-28 duke shkuar në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me avantazhin 44-48. Vllaznia rikthehet në lojë me një periodë të tretë më të mirë sesa kundërshtari, gjë e cila shoqërohet me marrjen disa herë të avantazhit, por që gjithësesi, në mbyllje të kësaj periode janë lezhjanët që kryesojnë 62-63.
Atëherë kur duhej të ishte më e saktë në veprimet e saj, Vllaznia bie në gabime të pafalshme, sidomos në elementin e pasimeve duke i dhuruar topa flagrant kundërshtarit, i cili me kapitenin Hamati në krye, më i miri në fushë për të dy ekipet, nuk fal në ndëshkimin e Vllaznisë me disa sulme radhazi.
10 me 18 për Besëlidhjen mbyllet kjo periodë në favor saj, dhe në përfundim të krejt ndeshjes, rezultati i përgjithshëm është 72 me 81 për lezhjanët, të cilët i gëzohen një fitoreje shumë të rëndësishme që i mban të vetëm në krye të klasikimit.
(Video) Pjesa e parë e plotë e ndeshjes, Vllaznia-Besëlidhja 44-48, dhe pjesa e dytë e plotë me rezultatin e përgjithshëm 72-81.