Vllaznia-Teuta 53-68
(24-16, 11-23, 10-14, 8-15)
Kuqeblutë e basketit për meshkuj e kanë mbyllur aventurën e tyre të sezonit 2021-2022 me finalen e katërt, Vllaznia-Teuta. Takim, i cili u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe që u fitua nga skuadra mike me rezultatin 53-68.
Për durrsakët që vinin në këtë finale të katërt me avantazhin e fitoreve 2-1, duhej edhe një fitore për ta mbyllur dhe fituar trofeun e titullit kampion. Ndërsa, Vllaznia kërkonte që me një fitore të mundshme në fushën e saj të barazonte shifrat e takimeve finale në 2-2 dhe më pas ta çonte fatin e titullit kampion në një finale të pestë, e cila sipas rregullores së FSHB, do të luhej përsëri në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.
Në përfundim të krejt ndeshjes, skuadra durrsake fitoi me rezultatin 53-68 duke e mbyllur këtu betejen për titullin kampion, trofe që i takoi atyre, pas një beteje shumë luftarake që u zhvillua për 40-të minuta në parketin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”.
Një ndeshje, në fakt që nisi mjaft mirë për Vllazninë, e cila e mbështetur fuqimisht nga tifozëria shkodrane, fiton periodën e parë me shifrat 24-16. Kur pritej që Vllaznia të ecte me këto parametra të periodës së parë, vazhdimësia tregoi të kundërtën.
Miqtë nga Durrësi përmirësojnë shumë lojën e tyre në dhjetë minutat e dyta dhe duke përfutuar edhe nga gabimet e kuqebluve, fitojnë periodën e dytë me shifrat 11-23. Madje, në pushimin mes dy pjesëve shkojnë në avantazh me rezultatin 35-39.
Trajneri i kuqebluve Damian Bekteshi, shpreson që skuadra e tij të kthehet në fushë për pjesën e dytë me një ritën tjetër. Në fakt, ka disa tentativa, por përsëri gabimet e kuqeblu janë të pranishme duke i dhënë mundësi Teutës ta fitojë edhe periodën e tretë me shifrat 10-14.
Dhjetë minutashi i periodës së katërt, dhe i fundit i krejt ndeshjes është më luftaraku. Vllaznia kërkon me patjetër të barazojë rezultatin, dhe në një moment afrohet shumë pranë. Krahas gabimeve të vetë basketbollistëve shkodranë që shpërdorojnë pa fund në të gjitha pozicionet, kuqeblutë kanë ankesa për gjykimin, gjë që e tensionon jo pak situatën në fushën e lojës, por edhe në tribunat e tifozërisë.
Vërshëllima përfundimtare, fikson rezultatin e përgjithshëm, 53 Vllaznia dhe 68 Teuta. Në këtë mënyrë, durrsakët e drejtuar nga trajneri Melzin Lazimi fitojnë finalen e tretë ndaj një të Vllaznisë duke u shpallur kampion të Shqipërisë për sezonin 2021-2022.
Në ceremoninë e mbylljes së kampionatit, ka qënë sekretari i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, i shoqëruar nga antari i kryesisë së kësaj federate, Blendi Dibra, që i dorëzojnë fillimisht medaljet e kampionit ekipit të Teutës, dhe më pas edhe kapitenit durrsak, Kristi Gorea kupën përkatëse të titullit kampion.
Gaspër MARKU
(Video: Basket meshkuj-Ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut kampion për Teutën në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës)