Eugent Zeka, ish-drejtori sportiv i Vllaznisë disa vite më parë, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Ai i ka komentuar në detaje humbjen e shkodranëve kundër Egnatias dhe ka theksuar se Vllaznia nuk ka pse të kalojë në panik nga kjo disfatë. Sipas Zekës, skuadra kuqeblu duhet të përmirësojë mentalitetin dhe disa gabime në lojë. Po ashtu, ai bën edhe një parashikim për duelin e radhës kundër Teutës.
Zeka, si e keni parë kampionatin shqiptar deri në këtë pikë?
Më vjen keq të shprehem në këtë mënyrë, por e shoh shumë të varfër në cilësi dhe rendiment kampionatin shqiptar. Futbolli profesionist në vendin tonë ka mbetur në vendnumëro, nuk po bën progres. Për garën deri tani nuk mund të them se është brenda pritshmërive, pasi në fillim ndonjë skuadër krijoi idenë sikur do të pretendonte më shumë. Elbasani, për shembull, në fillim krijoi idenë sikur do të ishte pretendent për në “Final 4”, më pas u largua nga ato vende. Një tjetër shembull është ai i Dinamos, që me “kurën” e trajnerit Ilir Daja u fut në lojë për titull. Skënderbeu gjithashtu, që e respektoj, nuk mendoja që në këtë periudhë të ishte në fund të tabelës.
Mund të thuhet tashmë se “Final 4” është kristalizuar?
Matematika lejon akoma mundësi për ndryshim në klasifikim, por për çfarë kanë treguar në fushë dhe pikët që kanë grumbulluar, është normale të mendohet se Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Dinamo janë për 4 vendet e para. Ky parashikim, pa i munguar respekt Elbasanit dhe skuadrave të tjera që vijnë më pas.
Një humbje që “djeg” ajo e Vllaznisë ndaj një rivali direkt, si Egnatia?
Janë edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar, mendoj se humbja e Vllaznisë ndaj një rivali direkt si Egnatia nuk përcakton fatin e asnjërës prej tyre për vendin e parë në fund, të 4 fazave. Egnatia është skuadra kampione në fuqi, po mbron titullin me dinjitet dhe meritokraci, por çdo gjë mbetet e hapur. Pra, mendoj se humbja e fundit nuk duhet të “djegë”, por duhet të jetë leksion te Vllaznia për të kuptuar ku mund të korrigjohet. Kështu mund të jetë gati në garën për titull gjatë “Final 4”.
Mund ta interpretonte ndryshe takimin trajneri Brdariç?
Si ish-drejtor sportiv i Vllaznisë, gëzoj respekt e vlerësim për trajnerin Brdariç. Ai i njeh nga afër më shumë se të gjithë lojtarët që ka në dispozicion, prandaj jam i bindur se ai e ka përgatitur siç duhet ndeshjen kundër Egnatias. Në futboll ndodh që kundërshtari të jetë jo vetëm më i fortë, por edhe në një formë më të mirë, si në këtë rast. Nganjëherë është më e drejtë t’i shtrëngohet dora dhe jepet merita kundërshtarit, kuptohet me sportivitet, pa kaluar në pesimizëm.
Pse Vllaznia, sipas jush, shfaq dy fytyra në ndeshje, si me Egnatian?
Në futbollin e sotëm shumë skuadra dhe trajnerë udhëhiqen nga kultura e rezultatit në ndeshje, jo nga mentaliteti fitues. Janë dy gjëra të ndryshme. Ky fakt sjell ndryshimin e fytyrave gjatë lojës, pasi skuadrat ndryshojnë në bazë të rezultatit. Kush është duke fituar, i jep prioritet fazës mbrojtëse, kush është në humbje mundohet të rikuperojë në sulm. Janë të rralla skuadrat që luajnë me të njëjtin mentalitet fitues dhe rendiment gjithë lojën, pavarësisht nga rezultati në favor apo jo.
Çfarë mund të këshilloje për këtë Vllazni?
E vetmja këshillë që mund të jap për Vllazninë lidhet pikërisht me çfarë u shpreha më sipër. Ajo duhet të punojë për të ndërtuar një skuadër me identitet sa më të fortë dhe mentalitet fitues, siç e ka pasur traditë gjithmonë futbolli shkodran. Vllaznia ka edhe fatin e madh të këtë tifozerinë inteligjente dhe njohëse të futbollit, që nuk dorëzohet kurrë dhe vazhdon të identifikohet për kulturën sportive. Kur të bëhen një, tifozeri dhe skuadër, çdo gjë do të bëhet fantastike për të gjithë ne që kemi Vllazninë në zemër.
Po diskutohet për shitjen e Dodajt në një kampionat të huaj…
Si tifoz i Vllaznisë, do të dëshiroja që Dodaj dhe shumë djem të tjerë të talentuar të Shkodrës të luajnë dhe fitojnë me këtë skuadër. Por futbolli sot është profesion dhe është mëse e drejtë që lojtari të avancojë sa më shumë në karrierë. Franca do të ishte më e përshtatshme për çdo lojtar të ri sulmues, Seria A është ndër kampionatet më të vështira taktikisht.
Ndeshja e radhës e gjen Vllazninë në transfertë kundër Teutës. Si e parashikon?
Teuta sapo ka ndërruar trajner dhe mund të gjejë motivime të reja për ndeshjen kundër Vllaznisë. Por ajo nuk mund të ndryshojë në aspektet e tjera në një kohë kaq shumë të shkurtër. Vllaznia jo vetëm që është më e kompletuar dhe me objektiva më të mëdha se të Teutës, por pas humbjes me Egnatia duhet të shkojë në Durrës më “e etur” për fitore dhe nuk duhet ta diskutojë atë.
Endri ÇINARI