Federata Shqiptare e Futbollit, duket se e ka seriozisht me angazhimin e saj në ndërtimin e fushave sportive në bashkëpunim me qeverisjet vendore dhe shoqatat sportive. Në këtë kuadër ka qënë edhe takimi i sotëm zyrtar, që zv.presidenti i FSHF-së Arben Dervishaj, zhvilloi në Bushat, ku të pranishëm ishin Kryebashkiaku i Vau Dejes Kristian Shkreli, Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër Lazer Matija, si dhe presidenti i FC Basania Ermir Shimaj.
Takimi i zhvilluar në zyrat e klubit të Basanias u shoqërua me diskutime nga të gjitha palët prezente, ku kryefjala ishte përmirësimi i infrastrukturës sportive në territorin e Bashkisë Vau Dejës, ku pikë së pari epiqëndra ishte fusha sportive e Bushatit, aty ku FC Basania zhvillon aktivitetin e saj sportiv të sezonit, jo vetëm me ekipin e parë që luan në kategorinë e dytë, por edhe ekipet zinxhir.
Zëvendëspresidenti i FSHF-së Dervishaj, i cili edhe më herët ka qënë në një vizitë tjetër inspektuese në Bushat, ka gati projektin e ndërhyrjes në këtë fushë sportive duke e shndërruar në një ministadium. Që do të thotë se krahas instalimit të një tapeti të ri sintetik, do të ketë ndërhyrje edhe në mjediset e tjera, dhomat e zhveshjes, ndërtimin e tribunave të spektatorve, etj.
Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, ka afruar bashkëpunimin konkret të institucionit që ai drejton për ndërtimin sa më shpejt të ministadiumit të Bushatit, ku ndër të tjera, pohoi se është, jo vetëm një dashamirës i futbollit, por edhe si ish futbollist që ka luajtur jo shumë larg në këtë fushë.
Natyrisht që ndërtimi i ministadiumit të Bushatit, është prioriteti kryesor i FSHF-së dhe Bashkisë Vau Dejës, dhe për këtë u dha edhe një afat konkret duke garantuar që me nisjen e sezonit të ri sportiv, gjithçka të jetë gati.
Por, përpos Bashatit, kryebashkiaku Shkreli dhe Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër Lazer Matija, i kërkuan të deleguarit të FSHF-së ndërhyrjen edhe në zona të tjera të kësaj bashkie, mes të cilave, doli edhe një propozim i ri, ai për ndërtimin e një stadiumi të ri në Laç të Vaut të Dejës, për të cilën zoti Dervishaj, afroi mbështetjen e institucionit të që ai drejton.
(Video) Pamje nga takimi i zhvilluar në zyrat e FC Basania-Bushat, mes zv.presidentit të FSHF-së Arben Dervishaj, dhe Kryebashkiakut të Vau Dejes, Kristian Shkreli, Kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër Lazer Matija, si dhe presidentit të FC Basania Ermir Shimaj. Si dhe prononcimi i Kryetarit të Bashkisë Vau Dejes, Kristian Shkreli.
Gaspër MARKU