Vllaznia U21-Elbasani U21, 4-0(Shënues: Gilman Agraja 4’, Anid Plangaj 16’, Ernest Hagrepi, 31’, Enis Danaj 56’)
Muaji dhjetor po rezulton pozitiv për Vllazninë U21. Themi kështu, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi realizoi dy fitore radhazi. Pas asaj të arritur në transfertë ndaj Egnatias falë golit të shënuar nga Ernes Hagrepi, kuqeblutë 21 vjeçarë, sot bënë të njëjtën gjë duke mundur në shtëpi Elbasanin U21 me rezultatin e thellë 4 me 0.
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës për llogari të javës së nëntë të Kampionatit Kombëtar të kategorisë Abissnet Superiore ka nisur me gol për Vllazninë kur është Gilman Agraja, i cili shënon që në minutën e katërt duke kaluar në avantazh Vllazninë, 1-0.
Nuk vonon, dhe vetëm 12-të minuta më pas është Anid Plangaj që tund rrjetën kundërshtare të Elbasanit duke e çuar avantazhin në 2 me 0 në favor të Vllaznisë.
Një pjesë e parë model për Vllazninë U21, e cila me golin tjetër të shënuar nga Ernest Hagrepi në minutën e 31-të, shkon në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e pastër, 3 me 0.
Kur pritej që në pjesën e dytë të kishte një reagim të skuadrës mysafire nga Elbasani, ndosh e kundërta, sepse është përsëri Vllaznia, kur 11-të minuta nga nisja e së dytës shënon golin e katërt, këtë radhë me autor Enis Danaj.
Gol ky që duket se është shkatërrues për Elbasanin, sepse në minutat në vazhdim, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave nuk ka më gol duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me rezultatin e thellë në favor të Vllaznisë, 4 me 0.
Pas kësaj jave, Vllaznia është vazhdon të jetë vendin e tretë të klasifikimit me 18 pikë, po aq sa ka edhe vendi i dytë që mbahet nga Bylisi, ndërkohë që kampionatin e kryeson Apolonia me 22 pikë.
(Video) Pamje nga ndeshja Vllaznia U21-Elbasani U21, 4-0. Java e 9-të e Abissnet Superiore U21.
Gaspër MARKU