Federata Shqiptare e Futbollit dhe Radio Televizioni Shqiptar, do të vijojnë bashkëpunimin e nisur sezonin e kaluar edhe për këtë sezon 2025-2026, madje sipas kontratës së hartuar, një gjë e tillë pritet të ndoshë edhe në sezonet e ardhshme futbollistike.
Në këtë mënyrë, bien poshtë zërat e qarkulluar jo pak sidomos gjatë 4-5 ditëve të fundit, të cilët aludonin për një prishje të kontratës mes dy palëve.
Në këtë mënyrë, të dy palët do të vijojnë bashkëpunimin për sjellë publikut shqiptar, brenda dhe jashtë vendit emocionet e kampionateve kombëtare, kryesisht atë të Superiores, përfshirë edhe Kupën, Superkupën dhe “Final 4” ku është edhe interesimi dhe përqëndrimi më i madh i tifozëve.
Por, në të njëjtën kohë, shrbimi i kamerave, komentatorëve dhe analistëve të RTSH Sport, do të vijojë edhe për pjesën tjetër të kontratës, Kategorinë e Parë, Futbollin e Vajzave, pa përjashtuar mundësinë e transmetimit të futbollit të moshave.
Të gjitha këto, janë pjesë e spotit që redaksia e RTSH Sport me drejtues Rino Bregasi ka përcjellë zyrtarisht për publikun:
“Ata rikthehen… Me golat, emocionet, spektaklin – në një betejë të re dhe një Final 4 edhe më rivalizues. Futbolli shqiptar dhe protagonistët e tij hapin një sezon të ri pasioni dhe rivaliteti të ndezur.
Bëhuni gati për spektaklin! Lufta sportive, çdo ndeshje, çdo gol, çdo dramë – në fushë dhe jashtë saj – drejtpërdrejt në ekranin e gjithë shqiptarëve.
Ju sjellim më të mirën. Abissnet Superiore – Kategoria e Parë – Kupa e Shqipërisë – Futbolli i vajzave. Sezoni i ri nis këtu!
RTSH – Shtëpia e futbollit tonë!”