Vllaznia U17-Prishtina U17, 2-2(Shënuese: Herta Hasa(2)/ Fatime Beha, Klea Dubova)
Me ftesë të Klubit të Futbollit Vllaznia Femra, Klubi i Futbollit Prishtina për femra ishte mysafir në Shkodër duke u ndeshur me dy ekipet respektive të Vllaznisë së femrave.
Ndërsa në ballafaqimin e ekipeve të para, fitues doli Vllaznia me rezultatin 3 me 0, në përbllalljen e kategorisë U17, ndeshja në fjalë u mbyll në barazim 2 me 2.
Të parat kaluan në avantazh futbollistet nga Prishtina me autore Fatime Beha, ndërkohë që nuk vonoi Vllaznia U17 duke barazuar me anë të Herta Hasës, e cila shndërroi në gol një penallti të dhënë në favor të kuqebluve.
Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e Vllaznisë 2-1, ku autore e golit është përsëri Herta Hasa, duke regjistruar dygolëshin e saj në këtë ndeshje.
Gjatë minutave të pjesës së dytë, dy trajnerët respektivë, Paula Jaku e Vllaznisë që regjistron debutimin e parë në krye të stolit të skuadrës së 17-vjeçareve dhe Altin Imeri i Prishtinës, kryejnë shumë ndërrime duke i dhënë hapësirë të gjitha lojtareve që kishin në dispozicion.
Atëherë kur u mendua se Vllaznia U17 do ta mbyllte me fitore këtë ndeshje, futbollistet mike nga Prishtina shënojnë në shtesë golin e barazimit me autore Klea Dubova, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me rezultatin 2 me 2.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri i Prishtinës, Altin Imeri, vlerësoi bashkëpunimin mes dy klubeve, ndërkohë që u shpreh i kënaqur për lojën e skuadrës së tij, e cila në kampionatin kosovar është pretendente për titull.
E kënaqur për paraqitjen e skuadrës së saj u shpreh edhe trajnerja Paula Jaku, për të cilën, kjo deshje e parë në krye të Vllaznisë U17, i shërbeu më tepër asaj për të njohur futbollistet që ka në dispozicion.
(Video) Përmbledhje e ndeshjes së futbollit femra, Vllaznia U17-Prishtina U17, baarzim 2-2, si dhe prononcimet e dy trajnerëve kundërshtarë, Altin Imeri i Prishtinës U17 dhe Paula Jaku e Vllaznisë U17.
Gaspër MARKU