Vllaznia futsal-Tirana futsal, 5-5(Shënues: Ari Djepaxhia 17’, 22’, 40’, Semir Gokaj 40’, 41’, aut. 20’/Mentor Mejzini 11’, 18’, Narcis Alibegu 40’,
Java e tretë e Kampionatit Kombëtar të Futsales ka përballur dy skuadrat më të mira të sezonit të kaluar, Vllazninë kampione dhe Tiranën nënkampione.
Dy skuadra këto, që edhe këtë sezon pritet të jenë dy rivale të denja për njëra tjetrën duke mos lënë mënjanë edhe Flamurtarin ambicioz për trofe.
Sfida që ishte në kalendar për t’u luajtur në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi”, me mirëkuptim të dy klubeve u spostua në të luhet në kryeqytet për shkak se mjediset e pallatit të sportit të Shkodrës ishin në dispozicion të Turneut Ndërkombëtar të Boksit, “Memorial Vllaznia 2026”.
Pas dy fitoreve radhazi në dy javët e parë të kampionatit, kuqeblutë e drejtuar në pankinë nga drejtori Arben Xhaferi dhe në fushë nga kapiteni-trajner Alsid Tafili, kanë qënë të karikuar gjatë të gjithë javës për arritjen e një fitore të mundshme në këtë sfidë të rëndësishme.
Fitore, e cila nisur edhe nga ecuria e takimit, kur Vllaznia në minutën e fundit kryesonte 5 me 4, ishte shumë pranë Vllaznisë, por bardheblutë, falë edhe një dashamirësie nga arbitrat e ndeshjes, arrijnë të barazojnë në limitin e krejt takimit.
Realisht, fillimi i ndeshjes ishte më i mirë për Tiranën, e cila me dy golat e Mejzit dhe të një autogoli të Vllaznisë, kundrejt një dopiete të Ari Djepaxhisë në kampin kuqeblu, e mbyll pjesën e parë në avantazh 3 me 2.
Por, pjesa e dytë, me një tjetër gol të shënuar nga Djepaxhia si dhe të dy të tjerëve me protagonist Semir Gokajn, është në avantazh 5 me 4. Avantazh, të cilin nuk arrin ta mbajë sepse në minutën e fundit të krejt ndeshjes, bardheblutë barazojnë duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me rezultatin 5 me 5.
Një barazim ky që e lë Vllazninë përsëri në krye të klasifikimit me 7 pikë në tre javë kampionat, e ndjekur nga Tirana me 4 pikë, Flamurtari 3, Forcat e Armatosura dhe Jata market 0 pikë.
(Video) Pamje nga ndeshja Vllaznia futsal-Tirana futsal 5-5. Kampionati Kombëtar, java e tretë


