Fundi i gushtit, dhe konkretisht nga data 27 deri me 30 gusht në Parkun Olimpik “Feti Borova” Tiranë do të luhen ndeshjet e fazës pareliminare të UEFA Futsal Champions League, ku sipas shortit të hedhur në Nyon të Zvicrës, ku krahas Vllaznisë, si kampione e Shqipërisë për sezonin sportiv, 2024-2025, konkurojnë edhe Bajo Pivljani i Malit të Zi, Isbjorn i Islandes dhe Tiges Roermond i Hollandes.
Në momentin e hedhjes së shortit, përfaqësuesit e UEFA Futsal Champions League kanë deklaruar se ndeshjet do të zhvillohen në qytetin e Shkodrës ku është edhe fusha e ekipit kampion, Vllaznia, por për arsye të mos plotësimit të kushteve përkatëse të pallatit të sportit “Astrit Dervishi”, me kërkesën e presidentit të KF Vllaznia Futsal, Fisnik Barbullushi, ndeshjet në fjalë janë vendosur të spostohen në kryeqytet, në Parkun Olimpik “Feti Borova” të kryeqytetit.
Në pritje të datës 27 gusht kur startojnë ndeshjet eleminatore, Vllaznia e futsales po testohet në disa ndeshje miqësore, për të cilat presidenti Fisnik Barbullushi, shprehet i kënaqur me angazhimin maksimal të djemve të ekipit kuqeblu.
Duke folur për merkaton, presidenti Barbullushi, bën të ditur se krahas futbollistit ulqinak Arnes Loloviç, do të ketë edhe prurje të tjera të reja, por gjithësesi, baza do të jetë me futbollistët shkodranë që u shpallën kampionë.
Në mbyllje, presidenti Fisnik Barbullushi, duke vlerësuar grupin B me kundërshtar shumë të fortë dhe me përvojë europiane, thekson se Vllaznia është e karikuar të zhvillojë ndeshje dinjitoze, ku asnjëri prej ekipeve nuk do ta ketë të lehtë me kuqeblutë, të cilët do të synojnë kualifikimin në grup.
(Video) Prononcimin e plotë të presidentit të KF Vllaznia, Fisnik Barbullushi, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar Veriu Sport-YOTUBE.