Vllaznia Futsall-Flamurtari Futsal 3-5(Besfort Gjoklaj, Ardit Mesi, Spajdi Qopekaj(Autogol)/Erard Leci, Xhordaj Kapaj(2), Lorenc Shehaj, Karlo Klaus)
Vllaznia Futsal: Fatos Behari, Alsid Tafili, Besfort Gjoklaj, Semir Gokaj, Ari Djepaxhia, Olsi Gjergji, Saimir Hysjeni, Alban Bashaj, Ardit Mesi, Denis Çokaj. Trajner: Arben Xhaferi
Flamurtari Futsal: Alban Shiba, Lorenc Shehaj, Karlo Klaus, Erald Leci, Xhordan Kapaj, Klark Klaus, Spajdi Qopekaj, Enea Resuli, Ani Xhyheri. Trajner Mario Karlus
Gjyqtarë: Albano Stolaj, Klejdi Shehu. Delegat i FSH Futsallës: Klajdi Përpunja. SekretarL Jetmir Podgorica
Kampionati Kombëtar i futsallës ka luajtur ndeshjet e javës së parë, kalendari i së cilës e kishte vendosur Vllazninë të luante në shtëpi me Flamurtarin e Vlorës. Nisur nga paraqitja dinjitoze që skuadra kuqeblu prezantoi në Turneun Ndërkombëtar të Ulqinit, pritej që starti i kampionatit të ishte me fitore.
Por, sfida e luajtur në mbrëmjenn e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës foli ndryshe. Skuadra vlonjate e drejtuar nga trajneri Mario Karlos, e cila vetëm pak ditë më parë në duelin me Tiranën fitoi Superkupën e Shqipërisë, doli fituese e të gjithë ndeshjes me rezultatin 3 me 5.
Ajo që i dha suksesin ekipit mysafir ishte starti i takimit me shënimin e dy golave të avantazhit, ku ai i Erald Lecit u regjistrua që në minutën e parë. Ndërkohë që në vazhdim me dopietën e Xhordan Kapajt të Flamurtarit dhe dy golat e Vllaznisë me autor Besfort Gjoklaj dhe Ardit Mesi, pjesa e parë mbyllet me avantazhin e vlonjatëve 2 me 3.
Atëherë kur pritej që me fillimin e pjesës së dytë, Vllaznia do të gjente golin e barazimit, ashtu si në startin e takimit vlonjatët ndëshkojnë kuqeblutë me golin e katërt, këtë herë me autor Lorenc Shehaj.
Me disavantazhin 2-4, drejtori teknik Arben Xhaferi që zëvendësonte në stol trajnerin Alsid Tafili, i cili luante nqë fushë me shiritin e kapitenit, bën lëvizjen e duhur duke larguar nga fusha portjerin Fatos Behari duke e zëvendësuar me një sulmues.
Një skemë që përpos epërsisë numerike në fushën kundërshtare në kërkim të golit, ka edhe rriskun brenda, sepse me portën e boshatisur mund të ndëshkohesh.
Megjithatë, si rezultat i presionit Vllaznia gjen golin e tretë falë autogolit të shënuar nga Spajdi Qopekaj në portën e tij duke bërë që shifrat të ngushtohen në 3-4 për miqtë.
Vllaznisë i shtohen shpresat për fitore, por në momentin më të mirë të tyre, është goli i të riut vlonjant Karlo Klaus që përpos këmbënguljes së vazhdueshme të kuqebluve, mbyll gjithçka duke fiksuar shifrat përfundimtare, 3 me 5 për Flamurtarin.
Fitore kjo e merituar e Flamurtarit që e nis në mënyrën më të mirë kampionatin, ndërkohë që nga ana tjetër, kjo humbje në shtëpi për Vllazninë, është një hap i gabuar, por që gjithësesi, në kampin kuqeblu ka optimizëm dhe besim për t’u kthyer tek fitorja si dhe pretendimi për titullin kampion.
(Video) Ndeshja Vllaznia Futsal-Flamurtari Futsal 3-5. Pjesa e parë dhe e dytë me transmetim të Veriu Sport.
Gaspër MARKU