Migrant Trail Running, quhet Turneu Ndërkombëtar i atletikës zhvilluar në Fushë Arrëz me pjesëmarrjen e atletëve më të mirë pofesionistë dhe amator. Kjo është me të vertetë një risi më vete, sepse një vend malor dhe pa traditën e duhur të këtij sporti, arrin të organizojë një aktivitet të tillë duke garuar në vrapimet e gjata të maratonës në katër disiplina vrapimi, 60 km, 40 km, 20 km dhe 10 km.
Ashtu si edhe në turnetë e tjerë të mëparshëm, Florjan Balaj, atleti veteran nga Shkodra, ishte pjesëmarrës duke arritur të ishte mes më të mirëve.
Gjatë prononcimit të tij për Veriu Sport, veterani Balaj, shprehet shumë i emocionuar për organizimin e këtij aktiviteti, për të cilin thotë se merita shkon për Artan Kolën, birin e kësaj zone, i cili edhe pse jeton në Tiranë, në bashkëpunim me kryebashkiakun e Fushë Arrëzit, Hil Curri, jep kontributin e tij për promovimin e historisë dhe vlerave turistike të kësaj qyteze.
Referuar konkurimit, si gjithnjë atleti shkodran që jeton në Tiranë, Bledar Mesi, ishte protagonist duke fituar vendin e parë, ndërkohë që vetë Florjan Balaj u ngjit në podium si fitues i vendit të trete.
Ndërsa, flet me superlative për organizimin dhe mikpritjen e komunitetit të Fushë Arrëzit, atleti veteran Florjan Balaj, bën të ditur se në mesin e muajit shtator, shoqata e atletikës Vllaznia e drejtuar nga kryetrajneri Albert Marashi, në bashkëpunim me bashkinë Shkodër, do të organizojë një aktivitet me përmasa të mëdha sa i përket vrapimit në natyrë. Një aktivitet, që sipas veteranit Balaj, organizohet për herë të parë në Shkodër për këtë disiplinë, ndaj duhet përkushtim dhe mbështetje nga aktorët përkatës për mbarëvajtjen e tij.
(Video) Prononcimin e plotë të atletit veteran të Vllaznisë, Florjan Balaj, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU