Nëse Vllaznia e sezonit 2024-2025 ka marrë vlerësime maksimale në evidentimin e elementit të ri, kjo ka të bëjë edhe me sektorin e portës. Kur porta iu besua Kristi Qarrit si titullar, në opnionin sportiv pati dyshime nëse do të arrinte të justifikonte besimin e dhënë nga stafi teknik, por paraqitjet e tij korrekte, shpesh herë edhe shpëtimtare në ruajtjen e paprekur të rrjetës kuqebu, dëshmuan se trajneri i tij Ideal Lekiqi nuk kishte gabuar teksa firmoste rolin e tij të titullarit në formacionin kuqeblu.
Por, një tjetër “testim” i trajnerit Lekiqi ishte edhe rasti Aron Jukaj, të cilit, pas dëmtimit të Qarrit, i ra një barrë e rëndë, që vetëm 19 vjeçar të merrte përsipër vendin e titullarit në formacionin e Vllaznisë.
Sërishmi në skenë del puna e trajnerit të portjerëve Ideal Lekiqi, që falë përgatitjes speciale dhe profesionale që bën në vazhdimësi me sektorin e portjerëve, reflektohet në sigurinë që Jukaj vazhdon të paraqesë në ruajtjen e portës kuqeblu. Madje, përpos kësaj, Jukaj vlerësohet nga stafi i Federatës Shqiptare të Futbollit duke e bërë pjesë të kombëtares kuqezi të 21 vjeçarëve.
Dhe, puna profesionale e trajnerit Lekiqi vazhdon edhe më tej në përgatitjen e brezit të ri të portjerëve. Këtë, Veriu Sport e konstatoi edhe në seancën stërvitore të ditës së hënë të drejtuar nga trajneri Tomas Brdariç, kur në mungesë të Kristi Qarrit të dëmtuar dhe Aron Jukajt i grumbulluar me Kombëtaren U21, trajneri Ideal Lekiqi është parë të punojë me tre portjerët e rinj: Rezart Bunjaj portieri i tretë i ekipit të parë të Vllaznisë, Endri Lujkaj portieri i ekipit Vllaznia U-19, dhe 16 vjeçari Alevio Ndoj, pjesë e ekipit të Akademisë Futbollit Vllaznia.
Siç mund ta ndiqni edhe në pamjet që shoqërojnë shkrimin, treshja e portjerëve të rinj i është nënshtruar një përgatitje speciale nga ana e trajnerit Lekiqi, i cili shprehet i kënaqur me pasionin, përkushtimin dhe talentin që disponojnë portjerët e rinj.
“Persa i përket Kristi Qarrit, ka një dëmtim që e ka mbajt për një koh të gjatë larg ekipit, por shpresoj që pritjes po i vjen fundi dhe po presim që të kthehet e të jetë i gatshëm të kontribuoj për ekipin shumë shpejt. Ndërsa, Aron Jukaj, mund të themi që e ka mungesen e justifikuar sepse siç e dini është pjesë e grumbullimit të kombëtares U-21 dhe shpresoj që të ketë debutimin e tij në nivelin më të mirë.”, shprehet Lekiqi për Veriu Sport.
Në vijim, ai shprehet i kënaqur me punën dhe rezultatet e marra nga grupi i portjerëve kuqeblu.
“Unë, si trajner i sektorit të trajnerëve, jam krenar për rritjen që kanë pas, si Qarri ashtu edhe Jukaj, sepse paraqitjet e tyre kanë qënë teper dinjitoze. Ndërkohë, padyshim që nuk i kam lënë pas dore as portieret e rinj tek Akademia Vllaznia, të cilët i kemi afruar dhe ju kemi dhënë mundësinë të stërviten me ekipin e parë. Kështu, së fundmi, krahas Bunjajt dhe Lujkat, ka disa ditë që me ekipin e parë po stërvitet edhe 16 vjeçari Alevio Ndoj i Akademisë Vllaznia, që besoj se është një element me cilësi, pavarësisht moshës së re që ka”, shton trajneri trajneri i portjerëve të ekipit të parë Vllaznia, Ideal Lekiqi.
(Video) Pamje nga proçesi stërvitor i trajnerit Ideal Lekiqi me treshen e portjerëve: Rezart Bunjaj, Endri Lujkaj, dhe 16 vjeçari Alevio Ndoj.
Gaspër MARKU