Tef Prela, ish mësuesi i dikurshëm i rusishtes në gjimnazin “Jordan Misja”, një ish kampion pingpongu në rininë e tij, është padyshim edhe një ndër emrat më të njohur të fushës së arbitrimit në sportin e futbollit, karriera sportive e të cilit ka pasur kulmet, sidomos në vitet 70-80.
Prej shumë vitesh është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jeton me familjen e tij. Ndërkohë, i rikthyer me pushime në qytetin e tij të lindjes, mbrëmjen e së hënës pati fatin të ndjekë ndeshjen e futbollit Vllaznia-Dinamo në tribunën VIP të stadiumit “Loro Boriçi”. Një ndeshje që sipas vetë Tefës, e ka mrekulluar me atë çfar skuadra kuqeblu ka shfaqur në fushën e lojës, aq sa nuk nguron ta krahasojë me duelin Hungari-Angli të shumë viteve më parë, e cila pati përfunduar po me këtë rezultat, 6 me 3. Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, Tef Prela, flet emocionet e shumta që provoi në sfidën, Vllaznia-Dinamo, për aktivitetin e tij si arbitër futbollit në SHBA, por edhe nostangjinë që ka për qytetin e tij, si dhe për sportin, me të cilin pati bashkëpunime disa vjeçare.
“Për mua ishte një ndeshje e veçantë dhe spektakolare në aspektin teknik, atë taktik si dhe me shumë gola. Më kujtoi një ndeshje të luajtur shumë vite më para Hungari-Angli përfunduar me rezultatin 6-3. Me atë lojë të luajtur dje besoj se shumë lehtë do të jemi kampion. Ndeshja e Vllaznisë më ka emocionuar shumë, dhe do ta mbaj mend gjithë jetën.
Në Amerikë më ka mbushur mëndjen një specialist Italian i arbitrimit që të vazhdoj përsëri karrierën e gjykimit. Nuk ishte e lehtë për mua të rifilloj në moshën 55-vjeçare por nevoja ekonomike më detyroi. Por kuptohet që mosha bën punën e vet dhe e lashë.
Dinamo luajti mjaft mirë në lojë dhe iu përgjigj disa herë lojës së Vllaznisë por, Vllaznia domionoi. Ylli i skuadrës për mua ishte Latifi. Goli model i shënuar nga Jonuzi nuk do të harrohet.
Me atë çfarë shikova, ajo ndeshje spektakël kërkonte një arbitër më të kualifikuar. Kishte nevojë për VAR-in disa herë, një gjë që sado pak e ul nivelin e arbitrit.
Kam gjykuar 22 vjet në fushën e futbollit në Shqipëri dhe nuk jan pak. Shkodra për mua mbetet një kujtim i këndshëm, qoftë në aspektin e punës time si arsimtar, qoftë në aspektin e sportit. Kam pasur dhe fat sepse në vitet 70-80 kur unë kam arbitruar, Vllaznia ka qenë në kulmin e kulmeve me Zhegën, Rragamin, Ndojën, Bizin e shumë e shumë emra të tjerë që ishin lojtarë klasi.”, tha ndër të tjera, Tef Prela në intervisten e dhënë për Veriu Sport, videon e plotë të së cilës mund ta ndiqni në vazhdim.
Gaspër Marku