Ndeshja më e rëndësishme e javës së tetë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për Kategorinë e Dytë, grupi A, ishte ajo e luajtur pasditen e së dielës në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, në mes ekipit vendas Tëerbuni dhe atij mysafir, Luzi i Vogël.
Pas humbjes së javës së kaluar në transfertë me Sopotin e Librazhdit me rezultatin 4 me 3, tifozëria pukjane ishte në pritje të kthesës për ekipin e zemrës Tërbuni. Sepse, një fitore e mundshme ndikonte pozitivisht, jo vetëm për ngjitjen në tabelë, por më së shumtmi edhe për rritjen e aspektit moralo-psikologjik, në mënyrë që javët e ardhshme të vijohej me të tjera fitore drejt objektivit të kualifikimit në kategorinë e parë, aty ku e ka vendin e tij Tërbuni i Pukës.
Por, atë q ëpritej nga ana e Tërbunit, e ka realizuar në mënyrën më të mirë Luzi i Vogël, i cili falë një autogoli të shënuar nga pukjant në portën e tyre, largohet me tre pikë të çmuara nga Puka duke marrë i vetëm kreun e tabelës së klasifikimit me 20 pikë, plot 9 pikë më shumë se sa Tërbuni që tashmë ka mbetur në vendin e gjashtë me 11-të pikë.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri i Luzit të Vogël, Lorenc Pashja, shprehet i kënaqur për fitoren tre pikëshe në transferten pukjane, duke pohuar se është një hap plus drejt realizimit të objektivit për këtëgorinë e parë.
Profesor Pashja, një fitore e çmuar për Luzin që është drejt rikthimit në Kategorinë e Parë?
Padiskutim, duke ditë edhe vështirësinë e kësaj transferte, që ekipi i Tërbunit luan shumë mirë në shtëpi. Një ekip me djem të rinj që kanë dëshirë të luajnë. E patëm vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, dhe me këtë fitore, besoj sekemi bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt objektivit që kemi për të kaluar në Kategorinë e Parë.
Fitorja u arrit përmes një autogoli nga ana e ekipit vendas të Tërbunit, por ju patët edhe mundësi të tjera me anë të kundrasulmeve.
Padiskutim që patëm mundësi të shënojnë, edhe në pjesën e parë dhe të dytë me kundrasulme, por më shumë nga nxitimi, nga dëshira për të shënuar golin e dytë dhe të sigurisë nuk arritëm të shënojmë. Por, megjithatë, unë jam i kënaqur për këtë fitore.
Intervistoi: Gani PEMAJ