Tërbuni i Pukës realizoi një fitore të rëndësishme, teksa për javën e 13-të të Kategorisë së Dytë, mundi në shtëpi ekipin durrsak KF Adriatiku me golat e shënuar nga dy ish futbollistët e Vllaznisë, Jurgen Gjoni dhe Klesti Troshani. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri i pukjanëve Sinan Bardhi, u shpreh i kënaqur për lojën e skuadrës së tij, madje theksoi se me rastet e krijuara fitorja mund të ishte më e thellë në shifra. Megjithatë, tekniku Bardhi, kërkon që të harrohet sa më shpejt kjo fitore dhe të shikohet përpara për ndeshjen e radhës me synimin ngritjen në tabelë, ku aktualisht Tërbuni është në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit.
Profesor, mundët Adriatikun 2-1 duke regjistruar fitoren e parë të vitit 2025, i kënaqur?
Fitorja ishte e merituar, djemtë luajtën. Vinim nga një humbje që moralin e kishim shumë lart për të marrë rezultat pozitiv. Kemi punuar gjatë të gjithë javës në drejtim të anës psikologjike, gjithashtu edhe nga ana taktike. Me lojën jam i kënaqur se golat erdhen në pjesën e dytë, por loja në përgjithësi mund të ishte edhe më e thellë. E komanduam takimin që në fillim, pavarësisht se pësuam një gol në fund fare, jemi të kënëqur me marrjen e tre pikëve. Ta harrojmë shumë shpejt këtë fitore, dhe ta kemi mendjen tek ndeshja e radhës, dhe avash-avash të fillojmë ngritjen në klasifikim.
Jeni i kënaqur me lojtarët e rinj që kanë ardhë në merkaton e janarit?
Deri diku jemi të kënaqur, megjithatë don kohën e vetë, sepse edhe ato pesë lojtarë që kanë ardhë në fazën e dytë duan kohën e vet, por kampionati i jonë është shumë i vështirë sepse njëmbëdhjetë ndeshje janë në këtë fazë, ku vështirësitë janë të mëdha në kërkim të pikëve. Edhe lojtarët kanë vështirësitë e veta derisa të harmonizohet grupi ashtu si duhet.
Intervistoi: Gani PEMAJ