Kampionati Kombëtar i volejbollit meshkuj për kategorinë U21 pret të njohë ekipin kampion të sezonit 2024-2025. Ai do të dalë nga takimi i tretë final, në mes Vllaznisë dhe Partizanit, të cilët pas dy finaleve të para kanë regjistruar nga një fitore secila, Partizani të parën në kryeqytet dhe Vllaznia të dytën në Shkodër.
Kështu, sipas formulës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndeshjë e tretë finale është vendosur të luhet në mesjavë në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit.
Një pragndeshje kjo që skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Endri Jukni dhe kolegu i tij Fatjon Çekini, po e shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë duke pasur si objektiv të marrin rezultat pozitiv në finalen e tretë dhe sjelljen e trofeut në Shkodër.
Për tu theksuar është se Vllaznia është kampione në fuqi për kategorinë e volej U21, n jë element ky psikologjik pozitiv që i motivon më shumë kuqeblutë për të qënë sa më rezultatin në fushën e lojës.
Duke ndjekur prej së afërmi seancën stërvitore të së hënës, Veriu Sport, shkëputi për pak momente kapitenin shtatlartë, dy metroshin Mario Lugaj, i cili u shpreh optimist që Vllaznia do ta kalojë me sukses finale e tretë për t’u shpallur për herë të dytë radhazi kampion i Shqipërisë në volej U21.
(Video) Prononcimin e plotë të kapitenit të Vllaznisë U21, Mario Lugaj, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU