Në Shkodër e duan shumë biçikletën. Në traditën e hershme të qytetit verior, por që vazhdon edhe sot, gjen në çdo familje, 2 deri në 3 biçikleta, përdorimi i të cilave është jo vetem për nevojat familjare, por edhe për shëtitje dhe turizëm.
Dy prej atyre që e përdorin shumë biçikletën në këtë qytet janë edhe çifti bashkëshortor, Irma Temali dhe Adrit Kraja. Shkak për t’u njohur me to ishte Edicioni i 11-të i Triathlon Labeat 2023, aktivitet i organizuar në pikën turistike të Shirokës.
Në fakt, në fokus ishte Irma Temali, fituese e vendit të parë në kategorinë e femrave, e cila u nderua me trofeun përkatës të Trithanlon Labeat 2023.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, menjëherë pas përfundimit të garës, Irma, e cila është pjesë e administratës së Bashkisë Shkodër në sektorin e Urbanistikës, flet për pasionin që ajo së bashku me bashkëshortin e saj Adritin kanë për lëvizjet me biçikletë.
Interesante ishte fakti që çifti në fjalë pedalonte vazhdimisht drejt pikave turistike malore, siç ishte edhe rasti që rreth dy muajë më parë, ato kishin pedaluar me biçikletë drejt pikës turistike të Thethit në aksin rrugor Shkodër-Prekal-Shosh-Theth, në një pjesë të konsiderushme të pashtruar me asfalt. Ndërkohë, që kthimin e kanë bërë nga aksi tjetër rrugor, Theth-Qaf Thore-Bogë-Shkodër, që tashmë është mjaft komod, gjatë të gjithë itenerarit të tij.
Ndër të tjera, duke iu referuar aktivitetit Triathlon Labeat 2023, i cili përmban konkurimin në tre gara, not-çiklizëm-vrapim maratonë, suksesin e arritur si kampione e këtij edicioni, e lidh me përvojën që ajo ka në çiklizëm.
Intervistën e plotë në video me kampionen Irma Temali, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriut Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU