Sot, është data e lindjes së ish kampionit të atletikës, Asim Mujaxhi(Osmani), dhe pikërisht sot në këtë ditë të veçantë të tij, familjarët, shokët dhe miqtë e shumë të tij, komuniteti sportiv e përcollën me shumë respekt për në banesën e fundit, pasi një ditë më parë ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare.
Teksa filmojmë ceremoninë mortore dhe marrim opinione për jetën dhe karrierën sportive të Asim Mujaxhit, miqtë e tij të sportit, flasim me superlativa për Askon, siç e thërrisnin në jetën e përditshme
“Asim Mujaxhi nuk ishte vetëm kampion në atletikë, por edhe në muzikë, një tenor unik për shkallë kombëtare!”, thotë ndër të tjera, Isak Bala, një prej atletëve veteranë të Vllaznisë, që ndonëse pak më i ri në moshë, pati rastin dhe privilegjin të garonte së bashku me Askon në ekipin e Vllaznisë.
Me të njëjtat vlerësime dhe konsiderata për Asim Mujaxhin, flet edhe një tjetër veteran sporti, ish futbollisti kuqeblu, Rauf Çanga, ku krahas anës sportive, duke e pasur kojshi prej shumë vitesh, vlerëson edhe vetitë njerëzore që dispononte Askoja.
Si një prind dhe familjar shembullor, Askoja, ushqeu tek fëmijët e tij pasionin për sportin, ku krahas vajzës që luajti basketboll, djali Ridi, ishte pjesë e atletikës, ku konkuroi denjësisht për disa vite, madje duke u shpallur kampion me ekipet e të rinjëve.
(Video) Pamje nga ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të ish kampionit të atletikës, Asim Mujaxhi, si dhe prononcimet e miqve të tij, veteranët e sportit, Isak Bala dhe Rauf Çanga, por edhe djalit të tij, Ridi Mujaxhi, mund t’i ndiqni të plota në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU-Shkodër, më 16 janar 2026



