Është vetëm 12 vjeç, por ajo që po shfaq në fushën e lojës, e kanë vënë atë në qëndër të vemendjes së specialistëve të futbollit shkodran dhe jo vetëm. Bëhet fjalë për futbollistin e Akademisë së Futbollit “Djelmnia Shkodrane”, Jurind Matoja.
Falë talentit dhe të dhënave optimale, fizike dhe teknike, Jurindi po shkëlqen në Kampionatin Rajonal të Futbollit, ku si kapiten i AF Djelmnia Shkodrane po e udhëheq skuadrën e tij nga fitorja në fitore duke qënë pretendentja kryesore për fitimin e tititullit kampion.
Në kontaktet e vazhdueshme që kemi me trajnerët e tij, por edhe shumë specialistë të futbollit shkodran, si dhe ato nga kryeqyteti, sidomos të stafit teknik të moshave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, me të drejtë na e vënë në dukje: Mbajeni mend mirë këtë emër. Jurind Matoja, është futbollisti i së ardhmes!
Pozicioni i tij në fushën e lojës është në repartin e prapavijës duke luajtur në qëndër dhe në të majtë të mbrojtes, aty ku është edhe një postobllok i pakalueshëm për kundërshtarët, por në të njëjtën kohë, ai shfaqet vazhdimisht në zonën kundërshtare në ndihmë të sulmit, ku edhe ka shënuar gola për skuadrën e tij.
Sipas specialistëve të futbollit, ajo që e bën të veçantë Jurindin, ka të bëjë me atë se ai luan me të dy këmbët, me të majtën dhe të djathtën, por, natyrisht, si mëngjërash i lindur që është, e majta është arma e tij kryesore. Një e majtë potente, që edhe sot në këtë moshë 12-vjeçare, goditja e topit nga ana e tij nuk ka shumë ndryshim me të rriturit.
Një gjë të tillë po e shfaq, jo vetëm në lojrat e skuadrës së tij Djelmnia Shkodrane, si dhe me Kombëtaren e moshave, por edhe disa trofe të rëndësishëm ndërkombëtër ku ai është vlerësuar edhe me trofe si futbollisti më i mirë.
Në formimin e tij si futbollist i këtyre niveleve, merita shkon tek trajnerët që e kanë trajnuar në ekipet e tyre që në moshën 7-vjeçare, si Bledar Marshiç, Fatmir Marku, dhe së fundmi edhe Astrit Premçi, i cili krahas ekipit U13 që drejton, ka edhe detyrën e drejtorit teknik të AF Djelmnia Shkodrane.
Ky i fundit, duke folur me superlativa për talentin e padiskutueshëm të futbollistit të tij, ka bindjen e plotë se nuk është e largët dita kur Jurind Matojën mund ta shikojmë në qëndrën e mbrojtjes së Vllaznisë, pozicion ku ai vetë jo shumë larg ka luajtur vetë duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit të Vllaznisë, por që edhe vetë Jurindi thotë se e ëndërron një gjë të tillë.
Megjithatë, ka edhe opsione të tjera për të ardhmen e tij, pasi duke u bazuar në përvojën pozitive që Djelmnia Shkodrane, tashmë ka në menaxhimin perfekt të futbollistëve rinj, ku rasti më i freskët është ai i talentit Gabriel Kulla, nuk përjashtohet mundësia që Jurind Matoja mund të përfundojë në futbollin italian duke ndjekur rrugën e Kullës.
Talenti i tij është një garanci për të ardhmen e tij, të cilën Veriu Sport, uron që ta ketë sa më të ndritur, me dëshirën dhe kënaqësinë për të parë shumë shpejt në ekipet e elitës së futbollit shqiptar dhe kombëtares kuqezi.
(Video) Prononcimi i talentit të “AF Djelmnia Shkodrane” Jurind Matoja për Veriu Sport. Fillimet, përkushtimi në stërvitje dhe objektivat e së ardhmes.
Gaspër MARKU