Ashtu siç pritej, sfida KF Shiroka-Besëlidhja, i vlefshëm për javën e 10-të, Kategoria e Dytë, është zhvilluar me një luftë të fortë sportive nga të dy kampet respektive. Takim të cilin amatorët e futbollit patën rastin ta ndjekin në transmetimin e Veriu Sport, drejtpërdrejtë nga stadiumi “Reshit Rusi” i Shkodrës.
Bukurinë këtij derbi verior ia dhanë tifozët shirokas si dhe ato të ardhur nga Lezha fqinjë, të cilët mbështetën skuadrat e tyre gjatë të gjithë ecurisë së takimit.
Brohoritja e parë për gol erdhi nga kampi shirokas kur që në start të takimit, minuta e gjashtë, është Elidon Dulaj që kalon skuadrën e tij në avantazh.
Nuk vonon as dy minuta dhe Besëlidhja kundrapërgjigjet duke barazpeshuar shifrat në 1-1. Klasi i krosit të dhënë nga Arsid Kruja përmes ekzekutimit të goditjes së dënimit në të djathtë të sulmit lezhjan shoqërohet me një tjetër klas të Akasasës që me kokë e dërgon topin në rrjetën e portjerit shirokas Endri Lulkaj.
Minutta në vazhdim vijojnë të jenë luftarake dhe me ritëm të lartë duke regjistruar raste shënimi në të dyja portat respektive.
Ndërkohë, Besëlidhja humb shërbimet e kapitenit Abaz Karakaçi, i cili si rezultat i një dëmtimi të rëndë lë fushën e lojës duke u shoqëruar me autoambulancë në Spitalin Rajonal Shkodër.
1 me 1 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që edhe dytë ka të njëjtat pamje si 45 minutat e para, ku si Shiroka dhe Besëlidhja, shpalosin hapur këmbënguljen e tyre për të gjetur golin e avantazhit.
Por, vërshëllima përfundimtare e gyqtarit kryesor Florjan Lata, mbyll gjithçka duke mbajtur në fuqi rezultatin e pjesës së parë, 1-1.
Barazim ky që nuk kënaq asnjërin prej trajnerëve kundërshtarë, Matias Tatangelo të Shirokës dhe Elvis Plori të Besëlidhjes, të cilët kërkonin fitoren tre pikëshe,
Rezultat ky që lënë fuqi bashkëkryesimin e dy skuadrave, Besëlidhja dhe Shiroka, tashmë në kuotën e 23 pikëve, por duke pasur shumë pranë Sopotin e Librazhdit me 22 pikë, i cili sot fitoi 1-0 me Erzenin.
(Video) Ndeshjen e plotë, Shiroka-Besëlidhja(pjesa e parë dhe e dytë), si dhe prononcimet e trajnerëve Matias Tatangelo(Shiroka) dhe Elvis Plori(Besëlidhja) mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



