KF Shiroka-Luzi i Vogël 2008, 0-2(Shënues: Jurgen Peqini 14’(P), 62’(P))
KF Shiroka: Lujkaj, Peku, Cambindo, Drabeja, Ogungbire, Vucaj, Filipi, Nenneth, Dulaj, Dibra(U Aktivizuan: Leka, Bebeziqi, Hasaj, Jatta S.). Trajner: Matias Tatangelo
17 nëntor 2024 dhe 27 shtator 2025, janë dy data të veçanta dhe historike për KF Shiroka.
Në nëntorin e vitit të kaluar shirokasit e drejtuar nga trajneri Fatmir Axhani, zhvillonin ndeshjen e pare historike zyrtare në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë duke u ballafaquar në transfertë me Partizanin B.
Ndërsa, kjo e sotmja, e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës është një datë tjetër historike, pasi klubi shirokas regjistron ndeshjen e parë në një nivel më të lartë, në Kategorinë e Dytë.
Kjo e dyta, në fakt, e gjeti skuadrën shirokase në një moment jo shumë të përgatitur, sepse, siç e pranoi në prononcimin e tij të pas ndeshjes edhe trajneri Matias Tatangelo, Shiroka ishte e përqëndruar për garën në Kategorinë e Tretë, dhe krejt papritur e gjen veten që në javën e parë të Kategorisë së Dytë përballë njërës prej skuadrave pretendente, siç është Luzi i Vogël 2008.
E megjithatë, me aq sa u pa në fushën e lojës, Shiroka luajti si e barabartë në këtë ndeshje, por ato që vendosen ishin dy penallti në dëm të tyre, një në pjesën e parë dhe një të dytën, përkatësisht në minutën e 14-të dhe të 62-tën, të cilat u shndërruan në gol nga i njëjti autor, Jurgen Peqini.
Përpos dy penalltive, në kampin shirokas kanë ankesa ndaj arbitrimit edhe për disa vendime të tjera të dyshimta gjatë ndeshjes, përfshirë edhe 5 kartona të verdhë dhe një i kuq në dëm të tyre.
Gjithësesi, duhet thënë se edhe pas pësimit të dy golave, Shiroka tregoi se ka forca fizike, por edhe teknike dhe taktike të ushtrojë presion në portën kundërshtare, ku duhet veçuar një traversë nga distanca me autor Klevis Bebeziqin, apo edhe disa raste të tjera të pastra shënimi, të shpërdoruara në portën mike të mbrojtur nga portjeri Drilon Mati.
(Video) Prononcimet e dy trajnerëve, Matias Tatangelo(Shiroka) dhe Bledi Kadiu(Luzi i Vogël 2008), si dhe pamje nga ndeshja Shiroka-Luzi i Vogël, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



