Quhet Erjon Vajushi, është vetëm 11 vjeç, pjesë e ekipeve të moshave të KF Shkodra. Aktualisht, luan në Kampionatin Kombëtar të futbollit të kategorisë Superiore U-13.
Në ndeshjen e radhës të kampionatit, asaj KF Shkodra-KF Tirana, luajtur fundjavën e kaluar për llogari të javës së pestë, Erjon Vajushi shënon një supergol që i dhuron fitoren ekipit të tij Shkodra.
Goli që shoqëron me video shkrimin tonë, ka marrë vlerësimet maksimale nga specialistët e futbollit, jo vetëm atyre nga Shkodra, por edhe më tej, në strukturat e FSHF-së, për të vijuar edhe jashtë vendit.
Trajneri i tij, Rudi Piraniqi, është mjaft i kënaqur që në gjirin e ekipit të tij të futbollit të moshave ka një talent të tillë. Në komunikimin që Veriu Sport pati me professor Rudin, ai thotë se jo rastësisht, një talent i tillë del nga KF Shkodra, sepse nga ky klub sistematikisht kanë dalë elementet cilësorë që në vite të ndryshme janë aktivizuar me këtë klub. Të tillë janë, futbollistë që sot luajnë në futbollin shqiptar, Superiore dhe Kategori e parë, si Kruja, Qardaku, Preka, Trumçi, S. Hepaj, Djepaxhia, Elbasani, G. Smajli, Ivziku, Alivoda, etj. Ndërkohë, që janë edhe emra të tjerë që aktualisht luajnë jashtë Shqipërisë, si E. Hysaj, A. Vajushi A. Marku, S. Guri, R. Hepaj, D. Toma, etj.
Më tej, duke folur konkretisht për 11 vjeçarin, Erjon Vajushi, Piraniqi thotë se ai, edhe pse me moshë më të vogël se kundërshtarët e tij, pas javës së pestë të Kampionatit të Superliges është golashënuesi më i mirë i kampionatit me 8 gola.
Nga të dhënat që na ofron trajneri Piraniqi, i cili prej tre vitesh vazhdon të punojë me këtë djalosh dhe grupin e bashkëmoshatarëve të tij, mësojmë se Erjon Vajushi, është nga Malësia e Madhe, ku jeton aktualisht me prindërit e tij. Një zonë që ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë futbollistë me emër, ku i radhës, por jo i fundit, është Armando Broja.
Në aspektin teknik, Vajushi i vogël, luan sulmues krahu, përdorë të dyja këmbët, por përparësi ka të majten. Ka një trup të zhvilluar, është viti i tretë që është rregjistruar tek K.F.Shkodra.
Duke pasë parasysh se eshte aktivizuar sezonin e kaluar në kategorinë Superiore me moshat 2008 – 2009, kjo i ka dhënë mundësi që këtë sezon futbollistik, të jetë i gatshëm të luaj me moshen 2009 – 2010 me një cilësi dhe rendiment më të mirë në fushën e lojës.
“Kjo grupmoshë 2010, është më e mira në Shkodër dhe ka rreth 12 lojtarë të kësaj moshe të talentuar dhe shpreh me bindje të plotë, se kjo moshë do jetë brezi i artë i K.F. Shkodra, të cilët ne si staf do t’i shoqërojmë në ecurinë e tyre sportive, deri sa lojtarët të jenë në fubollin elitar.”, thekson trajneri, Rudi Piraniqi, djali i kryetrajnerit, themeluesit dhe administratorit të KF Shkodra, Taip Piraniqi. (Video) Goli i shënuar nga 11 vjeçari, Erjon Vajushi, KF Shkodra-KF Tirana 2 me 1
Gaspër MARKU