Klubi i Futbollit Femra Vllaznia, përmes presidentit të tij Lazër Matija, prezantoi paraditen e sotme në mjediset e këtij klubi blerjet e reja. Ato janë pesë futbolliste, ndër to, njëra prej tyre shkodranja Rosela Vasa që i përket repartit të sulmit dhe që vjen nga ekipi i Laçit, si dhe katër të huajat: dy portjeret Binti Mazlan Nurul Azurin dhe Arianne Florencia Riveros Gonzales, si dhe sulmuesja, Bianca Azar Coad.
Në fjalën e tij para mediave, presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija, u shpreh i kënaqur me futbolliset që janë bërë pjesë e skuadrës, dhe po ashtu edhe për trajnerjen Paula Jaku, e cila i shtohet stafit teknik të ekipit të parë përkrah teknikut Nikolin Leka, ndërkohë që do të ketë edhe detyrën e trajneres së parë të Vllaznisë U-17.
Sipas tij, tashmë skuadra është e plotë, sidomos me dy portjeret që në fakt, më herët, Vllaznia ka pasur probleme me portën. Matija u ndal edhe tek futboillistja e re me perspektive Rosela Vasa, e ardhur nga ekipi i Laçit ku luajti sezonin e kaluar. Një futbolliste kjo që është shpallur edhe “Talentja e Vitit”, me të cilën pritet që kontrata të jetë me afat më të gjatë.
Përforcimet në fjalë, si dhe me pjesën tjetër të skuadrës, Matija e shikon Vllazninë optimal për ta mbyllur edhe këtë sezon me fitimin e titullit kampion, si dhe më pas të mendojë për një përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës.
I pyetur rreth formulës “Final 4”, ashtu si edhe herët e tjera, presidenti Lazër Matija, rivuri në dukje qëndrimin e tij kundër kësaj formule duke vënë në dukje se një formulë e tillë nuk i shërben futbollit të femrave dhe konkretisht ekipit të tij, i cili që nga java e parë kryeson kampionatin i shkëputur nga ekipet e tjera rivale.
(Video) Prononcimet e plota të presidentit të KFF Vllaznia, Lazër Matija, si dhe të dy futbollisteve të huaja, Bianca Azar, Nurul Azurin, dhe trajnerja e Vllaznisë U17 Paula Jaku, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar: Veriu Sport-YOUTUBE.