(Video) Klasikja e Futsales, Vllaznia-Tirana, fitohet nga bardheblutë. Fatin e titullit e vendosin takimet Play Off, mes rivaleve: Flamurtari, Vllaznia, Tirana

Vllaznia Futsal-Tirana Futsal, 3-5(Sënues: Fatos Behari 12’, Denis Çokaj 20’, 27’/Igli Gjeci 9’, Kevin Kosova 20’, 40’, Klajvert Gjoka 32’, Eradi Mertiri 40’)   

Ashtu siç parashikohej, klasikja e futsales, Vllaznia-Tirana, takim ky i luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, është shoqëruar me një lojë plot rivalit dhe ritem të lartë, ku emocionet ishin të pranishme që nga starti i sfides deri në vërshëllimen e fundit të arbitrit Albano Stolaj.

Një ndeshje që nisi më mirë për Tiranën, e cila shënon e para me anë të Igli Gjecit që në minutën e nëntë. Një avantazh bardheblu që zgjat vetëm tre minuta, sepse është Fatos Behari që barazon për shkodranët.

Goli i Denis Çokajt në minutën e fundit të pjesës së parë, u duk se do ta mbyllte këtë pjesë me avantazhin e Vllaznisë, 2-1, por në sekondat e fundit të mbylljes së saj, Kevin Kosova shënon për Tiranën duke e mbyllur 20-të minutëshin e pjesës së parë në barazim, 2-2.

Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Arben Xhaferi  marrin për herë të dytë avantazhin në këtë ndeshje, kur me fillimin e pjesës së dytë shënojnë me anë të Çokajt golin e tretë dhe të dytin personal për të.

Vllaznia vazhdon të luajë mjaft mirë në fushën e lojës dhe sulmet e saj në drejtim të portës së Tiranës në kërkim të golit të radhës janë të shumtë, por portjeri Klodian Rrapi dhe shtyllat e tij nuk lejojnë gola të tjerë për Vllazninë.

Nga ana tjetër, është Tirana, në formacionin e së cilës ka lojtarë mjaft cilësorë, e cila falë përvojës që vitet e fundit ka luajtur sistematikisht në Kupat e Europës, barazon në minutën e 32-të me autor Klajvert Gjoka.

Por, bardheblutë e drejtuar nga trajneri Artur Angoni, nuk kënaqen me barazimin duke treguar se kanë ardhur në Shkodër për fitore. Dhe, këtë e tregojnë edhe dy golat e tjerë të shënuar nga Eradi Mërtiri dhe Kevin Kosova, të cilët e çojnë avantazhin bardheblu në shifrat, 3-5.

Pas disavantazhit, Vllaznia hidhet e tëra në sulm, madje edhe portjeri Behari lë portën duke përforcuar aksionet sulmuese. Presioni kuqeblu është maksimal, por ngjeshja e Tiranës në mbrojtje nuk lejon më prekjen e rrjetës duke lënë në fuqi rezultaitn 3 me 5 në favor të bardhebluve.

Me këtë fitore, Tirana barazohet me pikë me Vllazninë, me të cilin ndan vendin e dytë dhe të tretë me nga 12 pikë, ndërkohë që Flamurtari është në krye me 18 pikë. Tre skuadra këto që do të përballen në fazën finale Play Off për të diskutuar titullin kampion dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.

(Video) Vllaznia Futsal-Tirana Futsal, 3-5(Pj. 2). Kampionati Kombëtar Transmetim i Veriu Sport, me koment.

Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu