Krahas kombëtares së madhe që nën drejtimin e teknikut Reja po përgatitet për dy ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve, në përgatitje e sipër është edhe Kombëtarja U-20, e cila është në prag të dy ndeshjeve miqësore ndaj Kroacisë U-20 dhe Maqedonisë së Veriut U-20, që do të luhen që të dyja në Kroaci. Në një konferencë për median, trajneri Bushi ka folur për procesin e rinovimit të grupit dhe për prurjet e reja që kanë ngjallur interes pasi bëhet fjalë për disa lojtarë të talentuar e që paraqesin potencial për të ardhmen.
Për Bushin, këto dy miqësore janë të rëndësishme për të parë pikërisht lojtarët e rinj, sigurisht pa lënë mënjanë edhe objektivin për të marrë rezultatet pozitive që do të kishin një efekt mjaft të mirë në moralin e ekipit.
Në vijim Bushi, foli edhe për lojtarët shqiptarë të marrë nga Kosova, për të cilët ka pasur komente jo të pakta mediatike.
Kombëtarja U-20 e drejtuar nga Alban Bushi do të luajë më datë 23 shtator, sfidën e parë me Maqedoninë e Veriut U-20 në stadiumin e Cakovecit duke nisur nga ora 16:30 dhe dy ditë më pas, më datë 25 shtator në ora 16:30, po në këtë stadium do të luhet edhe testi i dytë i Shqipërisë U-20 ndaj Kroacisë U-20.
(Video) Prononcimi i trajnerit të kombëtares U-20 Alban Bushi për mediat)