Friday, October 17, 2025

(Video) “Kupa e Ikonave Feti Dizdari” mbledh në Shkodër atletët më të mirë. Titulli “Mirënjohje”(pas vdekjes) për Feti Dizdarin, si dhe për veteranet Marije Dallëndysha, dhe motrat Blerta dhe Amilieta Hasi

Lexo

- Reklamë -spot_img

”Kupa e Ikonave – Feti Dizdari”, ishte aktiviteti i organizuar paraditen e së shtunës së 11 tetorit stadiumin“Loro Boriçi” të Shkodrës, në nderim të një prej figurave të shquara të atletikës shkodrane dhe shqiptare, Feti Dizdari.

Pjesëmarrës në këtë veprimtari organizuar  nga Shoqata Sportive e Atletikës “Vllaznia”, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Atletikës, në kuadër të “Shkodra – Qyteti Europian i Sportit 2025”, ishin një numër i madh sportistësh nga Shkodra, Tirana dhe rrethet e tjerë të Shqipërisë.

Nderimi për figurën e Feti Dizdarit, bëhej pikërisht në këtë stadium, ku në kohën e aktivitetit të tij, mbante emrin “Vojo Kushi”, ku të pranishëm ishin edhe disa nga nxënëset dhe sportistet e tij, të cilat e nisen sportin dhe u rriten nën kujdesin e zotni Fetit, siç thirrej profesori i tyre nmë ato vite.

Krahas konkurimit në disa disiplina sportive, për femra dhe meshkuj, ku figurën më të mirë sportive  e bënë atletët e Vllaznisë,  Shoqata Sportive e Atletikës “Vllaznia” dhe Bashkia Shkodër nderuan me titullin “Mirënjohje” figurën e Feti Dizdarit(pas vdekjes), si dhe veteranet e njohura të atletikës shkodrane, nxënësen e tij, kampionen ndër vite Marije Gjoni(Dallndysha), si dhe dy motrat, Blerta dhe Amiljeta Hasi.

Një CV e shkurtër për figurën e Feti Dizdarit

Feti Dizdari është një nga figurat më emblematike të sportit shqiptar. I lindur më 16 tetor 1913 në Shkodër, ai ishte kampion i shumëfishtë kombëtar në distancat 200, 400 dhe 800 metra dhe përfaqësues i Shqipërisë në Ballkaniada të ndryshme, përfshirë ato në Stamboll, Beograd dhe Tiranë. Karriera e tij si sportist dhe më vonë si trajner ka lënë gjurmë të thella në historinë e atletikës shqiptare.

Ndonëse përballoi vështirësi të shumta politike dhe burgosje të padrejta, ai rikthehet në sport dhe, përmes punës së palodhur, themelon një ndër ekipet më të suksesshme të atletikës për femra në Shqipëri. Nën drejtimin e tij, ekipi i femrave të Vllaznisë shpallet 15 vjet rresht kampion i vendit.

Nxënësit dhe Kampionët e tij

Feti Dizdari ka formuar breza atletësh të shquar si:

  • Femra: S. Keraj, Adile Dani, Myzejen Duli, Shaqe Nika, M. Meta, L. Ndoja, Luke Zefi, S. Krepi, N. Bilali, Sh. Osmani
  • Meshkuj: Ruzhdi Piraniqi, Dh. Banushi, Hivzi Kotrri, Rasim Kraja etj.

Ai njihej për përkushtimin ndaj edukimit fizik, por edhe për karakterin e tij fisnik dhe njerëzor. Shkodranët, edhe në periudhën e diktaturës, e thërrisnin me respekt “Zotni Feti”, një titull që flet shumë për vlerësimin që ka gëzuar në komunitet.

Vlerësime dhe Nderime

  • Trajner Republike, 1973
  • Urdhri “Naim Frashëri”, Klasa I, 1993
  • Mësues i Popullit, 1993
  • Qytetar Nderi i Shkodrës, 1999
  • Trajneri më i mirë i shekullit, 1999
  • Nderi i Sportit Shkodran, 2005
  • Nderi i Kombit, 2022
  • Një rrugë në Shkodër mban emrin “Feti Dizdari”

Burime dhe Referenca për Figurën e Feti Dizdarit

  • Dokumentari: “Visare të Sportit Shqiptar” – Autor: Ismet Bellova, Luka Heqimi
  • Libri: “Ballkaniada e vitit 1946” – Besnik Dizdari

……..

Shoqata Sportive e Atletikës “Vllaznia” do të vijojë javën e ardhshme me një tjetër aktivitet mbresëlënës, që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Këtë radhë në nderim të profesor Vildan Tufin, figurë kjo e ndritur e sportit dhe edukimit, një emër që i ka dhënë lavdi qytetit të Shkodrës dhe Shqipërisë. Një emër historik dhe triumfues në atletikën shkodrane dhe shqiptar , fitues medaljesh dhe titujsh kombëtarë e ndërkombëtarë, veçmas si trajner i sportistëve të tij elitarë.

(Video) Pamje nga zhvillimi garave dhe ceremonia e nderimit të figurave sportive, si dhe prononcimet e Agron Dizdarit(djalit të Feti Dizdarit), si dhe Kryetrajnerit të atletikës Vllaznia dhe njëkohësisht kryetarit të Shoqatës Sportive të Atletikës “Vllaznia”, Albert Marashi.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img