Shoqata e Handballit Vllaznia në bashkëpunim me Shoqatën Sportive të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër në bashkëpunim me familjen Karroca, përkujtuan ish handbollistin kampion të Vllaznisë Nikolin Karroca, ndarë pesë vite më parë nga jeta në moshën 52 vjeçare.
Në kujtim të ish kampionit në fushën e lojës, që më pas do të ishte i tillë edhe si president i Klubit të Handballit Vllaznia, por edhe si një ndër biznesmenët më të suksesshëm të Shkodrës dhe më gjërë, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës u zhvillua edicioni i katërt i Kupës “Nikolin Karroca 2025”.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe hapja e ekspozitës “Vllaznia e hendbollit në vite”, ku në mjediset e pallatit të sportit ishin ekspozuar foto, stastistika dhe kujtime në vite për ekipin e handballit Vllaznia.
Më pas, emocionet e turneut janë zhvendosur në fushën e lojës, ku katër ekipet pjesëmarrëse: KH Vllaznia, ekipi i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ekipi i veteranëve të handballit Vllaznia si dhe ekipi i veteranëve të handballit Kastrioti i Ferizajt të ardhur nga Kosova.
Pas ballafaqimit të parë, Vllaznia-Universiteti “Luigj Gurakuqi”, i mbyllur në barazim, me shumë interes dhe emocion u ndoq ndeshja në mes ekipeve të veteranëve të handballit, Shkodër-Ferizaj. Takim ky që u mbyll me rezultatin 14 me 12 në favor të ekipit të veteranëve të Vllaznisë.
Menjëherë pas përfundimit të këtij takimi është organizuar ceremonia e mbylljes, ku në emër të stafit organizator, Ridvan Dibra, Ali Matlia dhe Vili Haxhija, shpërndanë diploma dhe kupa për sportistët dhe ekipin më të mirë të Kupës “Nikolin Karroca”.
Në adresë të familjes Karroca shkuan edhe nderimet e bëra nga Klubi i Handbollit Ferizaj Kosovë, si dhe Shoqata e Tifozëve të Vjetër të Vllaznisë me drejtues Sandër Dema, të cilët i dorëzuan uniformën me emrin e personalizuar, Nikolin Karroca si dhe medalje “Mirënjohje”.
(Video) Pamje nga zhvillimi i aktivitetit, Kupa “Nikolin Karroca 2025”, si dhe prononcimet e veteranëve të handballit Vllaznia: Ali Matlia, Ridvan Dibra, Vili Haxhija, Artan Durro, Arben Rrjolli, si dhe Ismet Jupa(Ferizaj-Kosovë)
Gaspër MARKU