Friday, January 16, 2026

(Video) Lajm i trishtë për atletikën shkodrane. Ndërron jetë në moshën 88 vjeçare ish kampioni i viteve 50-60, Asim Mujaxhi(Osmani)-Askoja

Lexo

- Reklamë -spot_img

Atletika shkodrane ka humbur veteranin e nderuar Asim Mujaxhi(Osmani). Ish kampioni i viteve 50-60, ndërroi jetë sot në moshën 88 vjeçare, pas një sëmundje që e lëndoi gjatë viteve të fundit.

Referuar karrieres së tij sportive, Asim Mujaxhi do të mbahet mend si një ndër konkuruesit më të spikatur të disiplinës së vështirë të shumëgarëshit ku duke garuar përkrah emrave të njohur të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare si, Syrri Hoti, Llesh Vuksani, Hysni Bebeziqi, Vildan Tufi, Gëzim Mema, Pjetër Çefa, Isak Bala, Nazmi Kryeziu etj, spikaste si kampion i Shqipërisë.

Teksa përcillte emocionet e tij, pas nderimit që iu bë dy vite më herët me titullin “Mirënjohje” nga Shoqata e Atletikës Vllaznia dhe Bashkia Shkodër gjatë aktivitetit në nder të dy ikonane të atletikës Gëzim Mema-Vildan Tufi, ndonëse që atëherë sëmundja dhe vitet mbi supe e kishin lodhur, duke pasur në krah edhe djalin e tij, Ridin, Asimi, apo Askoja, siç e thërrisnin shokët e miqtë e tij duke pasur parasysh prejardhjen e tij nga Mali i Zi, kujtonte sidomos garën e tij të preferuar, atë të kërcimit me shkop. Dhe, duke e krahasuar atë të kohës së tij me këtë të sotme, Asimi, kujtonte që atëherë nuk kishin dyshekë sfungjeri si sot, dhe rënien e kërcimit me shkop e bënin në rërë, ndërkohë që vlerësonte kushtet bashkëkohore që sot disponon stadiumi “Loro Boriçi”.

Përpos të tjerave, Askoja ishte ndër ato sportistë që mbante raporte shumë të mirë me kolegët dhe miqtë e tij të sportit dhe jashtë tij, gjë që shprehet edhe në foton e vitit 1967 që shoqëron shkrimin, ku ai shfaqet përkrah emrave të mëdhenj të sportit shkodran dhe atij shkodran si, Loro Boriçi, Panajot Pano, Miço Papadhopulli, Kolë Gjoni, Nazmi Kryeziu, Buto Smaja, Jonuz Teli, duke pasur mes tyre edhe artistin e madh Prenkë Jakova, fotoreporterin Angjelin Nënshati si dhe tifozin, Lin Simoni.

“Shok e miq, mu rrënu bota e zemra po mdel vendit. Baba Askoja na la. Vorrimi, bëhet nesër(të premten), ora 12:30 te salla e pritjes së Xhamisë Perash. Pritja, Premte-Shtunde dhe të Dielë, burra dhe gra, në këtë sallë”, shkruan, djali i tij, Ridi, në një postim të rrjetit social.

Portali “Veriu Sport” i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Mujaxhi(Osmani) për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe komunitetit të sportit të atletikes shkodrane dhe asaj shqiptare për humbjen e një kampioni.

Pushofsh në paqe, Asko!

(Video) Prononcimi i veteranit të atletikes, Asim Mujaxhi, dy vite më parë në stadiumin “Loro Boriçi”, pas nderimit me titullin “Mirënjohje” nga Shoqata e Atletikës Vllaznia dhe Bashkia Shkodër.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img