Vllaznia Golden Eagle Ylli 79 – 70(16-23, 21-11, 21-16, 21-20)
Vllaznia e basketbollit për meshkuj është në superformë. Një skuadër e cila nuk ndalet prej dhjetë ndeshjes duke realizuar vetëm fitore. E fundit është ajo e regjistruar mbrëmjen e së mërkurës duke mundur Golden Egle Ylli të Suharekës me rezultatin 79-70.
Kuqeblutë e drejtuar nga tekniku Eni Llazani vinin në këtë përballje me aromën e një fitoreje spektakulare, ku vetëm dy ditë më parë sfiduan Tiranën me rezultatin 85-82 duke u pozicionuar në vendin e dytë të Superligës shqiptare, por kjo ndaj ekipit kosovar ishte e një përmase edhe më madhe.
Themi kështu, pasi përballë Vllaznisë ishte një skuadër, ndër më të mirët e basketbollit kosovar dhe më gjërë si Golden Egle Ylli i Suharekës, në gjirin e së cilës luajnë basketbollistë të kombëtares së Kosovës por edhe ligave të larta europiane deri edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Referuar kronikës së lojës, Ylli i Suharekës e nis më mirë teksa fiton periodën e parë 16-23, Vllaznia kundrapërgjigjet në të dytën duke e fituar atë 21-11 dhe shkon në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me avantazhin 37-34.
Momentet më të mira të Vllaznisë ishin në periodën e tretë, të cilën e fiton 21-16, period kjo gjatë së cilës avantazhi i kuqebluve shkon deri në plus 12 pikë.
Dhjetë minutat e fundit të periodës së katërt dhe të fundit të krejt ndeshjes ka një rivalitet shumë të madh, ku pati momente që skuadra kosovare e zbriti deri në dy pikë diferencen e avantazhit të Vllaznisë, por në dy-tre minutat e fundit, kuqeblutë shpërthejnë në disa sulme të suksesshme radhazi duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me fitore 79-70.
Kjo është fitorja e dytë radhazi e Vllaznisë në Ligën Unike, pas asaj të realizuar në transfertë ndaj një tjetër skuadre me emër si Peja, çka tregon se skuadra e drejtuar nga tekniku Eni Llazani shfaqet pretende në dy fronte, Superligën Shqiptare dhe po ashtu në Ligën Unike, Shqipëri-Kosovë.
(Video) Ndeshjen e Ligës Unike, Vllaznia-Golden Eagle Ylli 79 – 70( perioda e katërt), si dhe prononcimet e trajnerit të Vllanzisë Eni Llazani dhe kapitenit të Suharekës, Gëzim Morina, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



