Ashtu siç kanë paralajmëruar më herët, në kampin shirokas, fillimi i vitit 2026 është shoqëruar me lëvizjet e para në merkato. Pas zyrtarizimit tre ditë më parë të lojtarit suedez me origjinë nga Tuzi i Malit të Zi, Jakob Dreshaj, presidenti i KF Shiroka të Kategorisë së Dytë, Ergi Axhani, ka bërë të ditur përforcimin tjetër tëq skuadrës për pjesën e dytë të sezonit futbollistik 2025-2026.

Bëhet fjalë për një emër shumë të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Arlind Kalaja, futbollist që më herët ka përcjellë një karrierë sportive brilante, duke filluar nga Vllaznia, për të vijuar me Kukësin, Teuten, Kastriotin, Suedinë dhe Greqiqë.
E gjithë kjo përvojë e fituar në kampionatet e elites shqiptare, si dhe jashtë vendit, pritet të ndikojë pozitivisht që sulmuesi shkodran Arlind Kalaja të japë më të mirën e tij në radhët e KF Shiroka për realizimin e objektivit të deklaruar nga drejtuesit, atë të kalimit në Kategorinë e Parë.
Në listën e presidentit Axhani janë edhe emra të tjerë cilësorë të merkatos që pritet të bëhen publikë gjatë ditëve në vazhdim, ndërkohë që nga ana tjetër pritet të konkretizohet edhe marrëveshja e paralajmëruar me aksionierët amerikanë, të cilët ditë më parë kanë shprehur dëshirën të bashkëpunojnë me presidencen aktuale, për ta rritur edhe më shumë këtë nivelin e kësaj skuadre.
(Video) KF Shiroka i uron mirëseardhjen sulmuesit Arlind Kalaja në gjirin e skuadrës për pjesën e dytë të sezonit 2025-26.
Gaspër MARKU



