Vllaznia vazhdon që të jetë shumë aktive në këtë periudhë të merkatos verore, duke përforcuar skuadrën me elementë cilësorë. Klubi shkodran njofton se ka arritur marrëveshjen me mesfushorin Klinti Qato, i cili nga dita e sotme është zyrtarisht një lojtar i Vllaznisë.
Ish-futbollisti i Laçit ka firmosur për dy sezone me kuqeblute, me opsion zgjatjeje edhe për një vit tjetër.
“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se që nga sot pjesë e tij është edhe futbollisti Klinti Qato. Mesfushori që në tre sezonet e fundit ka qenë pjesë e skuadrës së Laçit, ka firmosur për dy vitet e ardhshme, me opsion zgjatjeje edhe një të tretë për të luajtur me fanellën kuqeblu”, shkruhet në njoftimin e klubit shkodran.