U zhvilluan ditën e sotme punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës. Në këtë mbledhje të përvitshme u raportua mbi aktivitetin e futbollit amator në qarkun futbollistik Durrës, aktivitetet e kombëtareve rajonale dhe projektet zhvillimore për vitin 2022.
Mbledhja kishte si pikë kryesore të rendit të ditës zgjedhjen e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës ku pas votimit u rizgjodh z. Mikel Furxhi. Gjatë procesit zgjedhor, për Mikel Furxhi u shprehën 22 propozime të vlefshme. Propozime pati edhe për kandidatin jo zyrtar z. Indrit Skora, i cili mori vetëm një propozim të vlefshëm duke mos përmbushur në këtë mënyrë kriteret e statutit që për kandidim kërkon propozimin nga tre anëtarë në mënyrë që të zyrtarizohesh si kandidat.
Asambleja e SHRFD mori gjithashtu vendime lidhur me buxhetin e vitit 2022 dhe disa ndryshime statutore duke vendosur një limit prej 3 mandatesh për kryetarin e shoqatës.
Pika e fundit e rendit të ditës, e shtuar me propozim të KF Teutës, e aprovuar në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët prezent ishte ajo për zgjedhjen e përfaqësueseve të SHRF Durrës në Asamblenë e Përgjithshme zgjedhore të FSHF, të cilët janë Mikel Furxhi, Agron Kërçova dhe Fundim Dallaku.
Procesi i Asambleve të Përgjithshme në Shoqatat Rajonale të futbollit do të vazhdojë në ditët e javët në vazhdim në zonat e tjera.
(Video-Prononcimi i e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, Mikel Furxhi)