Monday, September 16, 2024

(Video) Mjeshtri i Madh i volejbollit Gjino Mjeda, përcillet me respekt në banesën e fundit. Ish kolegët e fushës së lojës, Nora Deda, Irfan Boriçi dhe Mark Kroqi, lartësojnë figurën e talentit shkodran, ndarë nga jeta në moshën 67 vjeçare

Lexo

I ndarë nga jeta një ditë më parë në moshën 67 vjeçare, Mjeshtri i madh i volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, Gjino Mjeda, është përcjellë sot me respekt për në banesën e fundit nga komuniteti shkodran, mes të cilëve kanë qënë edhe ish kolegët e sportit. Tre prej tyre, Nora Deda, ish volejbolliste, sot trajnere e Vllaznisë, Irfan Boriçi dhe Mark Kroqi, ish volejbollist të formacionit të luajtur përkrah Gjino Mjedes, gjatë prononcimit për median, lartësojnë figurën e ish kolegut të tyre.

Karriera sportive e Gjino Mjedës

Sa i përket karrieres sportive, Gjino Mjeda, me ekipin e parë të Vllaznisë në Volejboll meshkuj është bashkuar në vitin 1973 duke qënë në një moshë të re 16 vjeçare, për t’u mos u ndarë më nga fusha e lojës për një periudhë të gjatë 18 vjeçare duke qënë titullar me peshë dhe i padiskutueshëm në formacionin kuqeblu.

Trajnerët, me të cilët ka bashkëpunuar, Mark Grimci, Flamur Agolli, Ali Bushati, janë shprehur me superlativa për aftësitë individuale që zotëronte Gjino Mjeda, i cili spikatjen më të madhe e kishte si shuter, ku falë kërcyeshmërisë së tij të lartë konsiderohej si “fluturues i rrjetës”.

Duke luajtur përkrah emrave të tillë të njohur të volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, si Irfan Boriçi, Adrian Shiroka, Viktor Miri, Mark Kroqi, Irfan Domnori, Gjon Çoba, Fatmir Gruda, Adnan Boriçi, etj të drejtuar nga trajneri Mark Grimci, Gjino Mjeda jep kontributin e tij në fitimin e tre Kupave të Republikës me Vllazninë në vitet 1985, 1988 dhe 1989.

Falë vlerave dhe asaj që ai dha për volejbollin shkodran në vite, Gjino Mjeda është përzgjedhur në listën e volejbollistëve të shekullit me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Sport Klub Vllaznia. Ndërkohë, një tjetër vlerësim është edhe akordimi i titullit “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

Portali “Veriu Sport”, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Mjeda për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe komunitetit të sportit të volejbollit shkodran e më gjërë për humbjen e një figure të spikatur të sportit të volejbollit.

Lamtumirë Gjino Mjeda, i përjetshëm qoftë kujtimi yt!

(Video) Pamje nga ceremonia mortore e përcjelljes për në banesën e fundit të Mjeshtrit të Madh të volejbollit shqiptar, Gjino Mjeda. Si dhe në vazhdim, prononcimet e ish kolegëve të tij në fushën e lojës, Nora Deda, Irfan Boriçi dhe Mark Kroqi.

Gaspër MARKU-Shkodër, 20 gusht 2024

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img