I ndarë para kohe nga jeta në moshën 57 vjeçare, Kryetari i Shoqatës së Bilardos Vllaznia, si dhe ZV.Presidenti i Federatës Shqiptare të Bilardos, Ardian Vorfa, është përcjell me shumë respekt për në banesën e fundit.
Krahas komunitetit shkodran, shokë, miq e kolegë të bilardos shkodrane, të pranishëm në ceremoninë përkatëse, kanë qënë edhe miq dhe kolegë nga Tirana dhe rrethet e tjera të Shqipërisë, me të cilët Ardian Vorfa kishte një bashkëpunim të afërt dhe professional.
E pranishme në këtë ceremoni të përmotshme, ishte edhe një përfaqësi e Federatës Shqiptare të Bilardos me në krye, presidentin e këtij institucioni, Edmond Loku.
Në prononcimet e dhëna për Veriu Sport, bilardisti veteran i Vllaznisë, ish kampioni Malo Ademi, Presidenti FSHB Edmond Loku, ish drejtuesi i KS Vllaznia Kujtim Shaba, një mik i afërt i të ndjerit në jetën e përditshme, flasin me superlativa për figurën e Ardian Vorfës.
Ndër të tjera, ato theksojnë se Ardian Vorfa, ka dhënë gjithçka për sportin e bilardos, jo vetëm në pasionin e ushtrimit dhe të drejtimit me përkushtim dhe ndershmëri të shoqatës Vllaznia, si dhe përgatitjes së brezave të rinj të këtij sporti në Shkodër, por ndër të tjera, edhe në aspektin financiar, ku investimet në sallën e bilardos Vllaznia, një pjesë e mirë e të cilëve janë nga ana e familjes së tij.
Por, mbi të gjitha, shokët, kolegët dhe miqtë e tij të shumtë, theksojnë se Ardian Vorfa ishte një familjar dhe qytetar shkodran model në të gjitha drejtimet, për të cilën do të kujtohet gjithmonë me shumë respekt për çka ka lënë pas.
(Video) Pamje nga ceremonia mortore e përcjelljes në banesën e fundit të Ardian Vorfës, si dhe prononcimet e Presidentit të FSHB, Edmond Loku, veteranit të bilardos Malo Ademi dhe ish drejtuesit të KS Vllaznia, Kujtim Shaba, mund t’i ndiqni të plota në kanalin tonë zyrtar: Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU