Një video e shpërndarë nga zyrat e shtypit pranë Bashkisë Shkodër, shoqëruar edhe me një koment të kryetarit Benet Beci, informon komunitetin e gjërë shkodran dhe kryesisht dashamirësit e sportit lidhur me ndërhyrjen që po bën Drejtoria e Përgjithshme e Mirëmbajtjes së Objekteve Publike në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”. Specialistë përkatës të terreneve sportive me mjete bashkëkohore në dispozicion, kanë nisur mbjelljen e barit të ri, një process që kryehet një herë në vit për të përmirësuar cilësinë e fushës së lojës.
“Kujdes dhe vëmendje për shtëpinë tonë kuqeblu
Në stadiumin “Loro Boriçi” kemi shfrytëzuar periudhën kur Vllaznia nuk luan në shtëpi për të ndërhyrë për përmirësimin e tapetit të fushës së blertë.
Një punë voluminoze nga Drejtoria e Përgjithshme e Mirëmbajtjes së Objekteve Publike, me qëllim ofrimin e standardit dhe cilësisë.”, shkruan kryebashkiaku Benet Beci në postimin e tij zyrtar.
Ndërkohë, krahas ndërhyrjes në tapetin e fushës së lojës, kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bën të ditur se shumë shpejt do të nisë edhe zëvendësimi i ulëseve të dëmtuara.
“Çështje proçedurash dhe ajo pamje do të ndryshojë, ashtu siç po mundohemi çdo ditë t’i ndushojmë pamjen Shkodrës”, thekson kryebashkiaku Beci, duke garantuar se pamja e stadiumit “Loro Boriçi”, i cili administrohet nga Bashkia Shkodër, shumë shpejt do të rimarrë pamjen e merituar, ashtu siç ka qënë në ditët e tij më të mira.
(Video)Pamje nga puna e specialistëve të terreneve sportive në proçesin e rimbjeëlljes së barit në stadiumin “Loro Boriçi”.



