“Olimpic Shkodra FC”- KF Klosi 1-2(Shënues: Karem Khalil Meshan 17’(p)/ Donald Kurbneshi 49’(p), Hasan Koka 69’)
Karton i kuq- Artjon Llaveshi(KF Klosi) 58’
“Olimpic Shkodra FC”: Rroshullaku, Yasser, Bruno, Enes, Muco, Luis, Omo, Curraj, Karem, Cubi(U aktivizuan: Hajrullahi, Çobaj, Marku, Mani, Heshta). Trajner: Anton Raine Amokrane
KF Klosi: Koca, Gjoka, Dedaj, Meshaj, Mallunxa, Adili, Kurbneshi, Llaveshi, Duraku, Koka, Kola(U aktivizuan: Shera, Shaqe, Caka, Cekolli). Elton Dedolli
Gjyqtar: D. Doçi, A. Kycyku, O. Berberi, G. Tosa, B. Pjetrushi
Dy ekipet shkodrane, debutuese në Kampionatin Kombëtar të futbollit për Kategorinë e Tretë, nuk e kanë nisur aspak mirë sezonin, pasi që në javën e parë kanë regjistruar humbje.
Pas KF Shiroka që mund një ditë më parë në transfertë nga Partizani B me rezultatin 4-0, sot është mundur edhe Olimpic Shkodra, humbje të cilën ia ka shkaktuar në shtëpi KF Klosi.
Në fakt, ndeshja e luajtur pasditen e sotme në Kompleksin Sportiv “Zmijani” ka nisur në mënyrën më të mirë për olimpikasit e Shkodrës, teksa kanë kaluar në avantazh që në minutën e 17-të, kur Karem Khalil Meshan Khalil ka shndërruar në gol një penallti të akorduar nga arbitri kryesor Doçi.
Edhe pas shënimit të golit, skuadra e drejtuar nga trajneri finlandez Amokrane, vazhdon të luajë mirë, por për hirë të së vertetes, miqtë nga Klosi e shtojnë shumë forcën sulmuese duke e kërkuar me ngulm golin e barazimit.
Me avantazhin 1 me 0 në favor të vendasve, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes, por katër minuta pas rikthimit në fushë për 45 minutat e dyta, miqtë nga Klosi përfitojnë një penallti në favor të tyre, të cilen e shndërron në gol Donald Kurbneshi.
Barazim në shifra, 1 me 1, por në fushën e lojës nuk ka barazi sa i përket lojtarëve, sepse arbitri Doçi ndëshkon në minutën e 58-të me karton të kuq Artjon Llaveshin duke lënë me një futbollistë më pak në fushë skuadrën mike të Klosit.
E megjithatë, siç ndodh rëndom edhe në skuadra të tjera, skuadra kundërshtare, në rastin konkret, Olimpic Shkodra nuk përfiton nga epërsia numerike. Madje, në të kundërt, djemtë e Klosit të drejtuar nga trajneri i tyre Elton Dedolli karikohen më shumë në fushën e lojës, ku jo vetëm ruajnë të paprekur portën e tyre, por nga ana tjetër, në minutën e 69-të tundin për herë të dytë rrjetën e portjerit të Olimpic Shkodra, Denis Rroshullaku me anë të futbollistit të tyre Hasan Koka.
Pas pësimit të golit të dytë në portën e tyre, trajneri Amokrane dhe drejtori sportiv Ditmar Jubica lëvizin në pankinën e Olimpic Shkodra duke shtuar forcat sulmuese në fushën e lojës, por edhe pse rastet dhe mundësitë ishin të shumta, e gjithë ndeshja ka përfunduar me rezultatin 1 me 2 në favor të Klosit.
Edhe pse e ka nisur me humbje në shtëpi kampionatin e kategorisë së tretë, trajneri i Olimpic Shkodra, Amokrane, nuk demoralizohet, duke pranuar se skuadra e tyre ka nisur me vonesë përgatitjet, dhe se në javët e ardhshme nuk do të mungojnë rezultatet pozitive. Ndërkohë, që nga ana tjetër, trajneri i Klosit Elton Dedolli, përgëzon futbollistët e tij për shpirtin e garës, sidomos pas mbetjes me 10-të lojtarë në fushën e lojës.
(Video) Përmbledhje e ndeshjes, rastet dhe golat, Olimpic Shkodra-Klosi, 1-2. Kompleksi Sportiv “Zmijani”-17 nëntor 2024.
Gaspër MARKU