Nëse Vllaznia në volejboll për femra po shkëlqen këtë sezon sportiv, meritë në këtë sukses ka patjetër dhe pasuesja e talentuar, Stela Kiri, e cila krahas skuadrës kuqeblu është titullare edhe në ekipin kombëtar të Shqipërisë. 24 orë përpara sfidës më të rëndësishme të javës së shtatë të Superligës së volejbollit për femra, Vllaznia-Tirana, takim që do të luhet pasditen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” duke filluar nga ora 16.00, Kiri flet për për emocionet e këtij ballafaqimi, të cilin e quan vendimtar për vendin e dytë në renditje.
Kiri, që luan në rolin e liberos vlerëson fitoren e javës së kaluar me kampionen në fuqi, Partizani, ndërkohë që ballafaqimin me Tiranën e konsideron shumë të fortë, pasi sipas saj, janë dy skuadra me nivel të barabartë.
Pasuesja Kiri nuk harron të evidentojë rolin e madh që po luan presidenti i Shoqatës së Volejbollit Vllaznia për femra, Forian Zekja, i cili sipas saj, ia ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkesat financiare skuadrës, dhe tashti është radha e tyre t’ia shpërblejnë me fitore në fushën e lojës.