Thursday, January 30, 2025

(Video) Peqin – Promovohet libri “Kur ke çfarë të kujtosh”, libri më i ri i gazetarit të shquar sportiv Ahmet Shqarrit – Nga Fatmir Popja

Lexo

Në qytetin e Peqinit është promovuar libri  “Kur ke çfarë të kujtosh”. Ky është libri më i ri i gazetarit të mirënjohur sportiv Ahmet Shqarri. Më herët, Shqarri ka sjellë para lexuesve librat “Kujtimet e një gazetari sporti” dhe “Nga një libër te tjetri”.

Promovimi i librit më të ri të Ahmet Shqarrit është bërë në prani të dhjetra e qindra  miqve, kolegëve e bashkëqytetarëve të tij në Pallatin e Kulturës “Ferdinand Deda” në Peqin. Mes të pranishëmve të shumtë ishin edhe personalitete të shquara të gazetarisë sportive shqiptare.

Gazetari i mirënjohur sportiv, Ahmet Shqarri është themeluesi dhe drejtuesi i emisionit sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën” në Radio Tirana i cili startoi në vitin 1983 dhe vijon të jetë ende një nga emisionet sportive më të ndjekur në historinë e medias shqiptare.

Libri e tij i ri, “Kur ke çfarë të thuash” pasqyron përvojën e tij të gjatë në gazetari dhe pasionin për sportin, ofron një vështrim të thellë mbi botën e sporteve dhe mediat. Shqarri, me stilin e tij të njohur dhe me një qasje të veçantë, ndan mendimet dhe reflektimet mbi zhvillimet sportive dhe ndikimin e tyre në shoqëri.

Ky libër i tij është një kontribut  i vlefshëm për ata që duan të kuptojnë edhe më mirë dinamikën e sporteve dhe rolin e medias në transmetimin e ngjarjeve sportive. Ahmet Shqarri si dikur para mikrofonit rikthehet këtë fund Janari të vitit 2025 si një djalosh mjaft energjik edhe pse sot është 82 vjeç. Rikthimi i tij është  plot energji, plot ritëm, plot emocion dhe me po atë  elegancë e qartësi  që transmetonte kur drejtonte dikur emisionin e famshëm

“Nga njëra ndeshje në tjetrën”, duke sjellë një nga risitë më të bukura në media në atë kohë. Gjatë promovimit krahas shumë personaliteteve mes pjesmarrësve libri i ri i gazetarit Ahmet Shqarri u vlerësua me superlativa edhe nga Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Skënder Durmishi, Regjisori Ylli Pepo, Kryebashkiaku i Peqinit Bukurosh Maçi, analisti Aleksandër Çipa etj.

Ndërkohë Ahmet Shqarri, autori i librit shprehu mirënjohjen e tij ndaj lexuesve të shumtë të librave të tij. Mjafton të lexosh botimin e tij të ri “Kur ke çfarë të thuash”, për ta kuptuar menjëherë, që bëhet fjalë për një personazh të njohur, publik, zëri kombëtar i radiokronikës sportive shqiptare, pra për gazetarin sportiv Ahmet Shqarri, ndër më të mirët e të gjitha kohërave krahas Anton Mazrekut e Ismet Bellovës.

Gazetari Ahmet Shqarri krijoi dhe drejtoi për një kohë të gjatë kombëtaren e gazetarisë shqiptare me emrat të shquar që kanë bërë historinë si komentatori i madh i radiofonisë sportive shqiptare Ismet Bellova i cili së bashku me zëra të tjerë në Tiranë e në rrethe të Shqipërisë përcollën emocione të pazëvendësueshme për lojën e futbollit.

Është momenti për të kujtuar e sjellë në vëmendje komentatorët sportivë Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Kurti, Fatmir Mneri, Robert Papa, Ilir Meta, Mikel Janku e Pirro Ruvina në kryeqytet si edhe, Ymer Striniqi Pal Toma, Edmond Dibra në Shkodër,Vladimir Ngjela e më pas Romeo Xinxifi në Korçë, Frederik Fico e Pirro Qiqi në Gjirokastër, Bujar Qesja në Durrës, Vlash Pambuku, Agron Kaja, Edi Spahiu në Berat; Pandeli Pano dhe Moisi Dalipi në Vlorë, Sefedin Allkja, Sefer Kikia, Aldo Kozarja, Nertil Agalliu, Fatmir Popja në Elbasan, Fatmir Efica në Kavajë, Llukan Çuko, Alban Alushi, Xhorxhi Bizhyti në Lushnje, Pandeli Fype e Arben Çepani në Kuçovë, Mikel Mbriçaj dhe Arbër Emiri në Fier, Zef Shtjefni, Martin Deda dhe Gjin Palushi në Lezhë, Fatmir Thaçi, Nderim Goci e Shaban Dollaku në Krujë, Rrok Preçi e Isuf Myrtaj në Laç, Pëllumb Starova në Pogradec;,Agim Meta, Erion Saliaj dhe Erion Hamitaj në Ballsh, Partizan Myftari në Çorovodë, Avni Kërtuka në Burrel, Jonuz Hallaçi në Kukës, e shumë e shumë emra të tjerë që ju bashkuan dhe vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj skuadre për të cilën  Ahmet Shqarri na ofron një tjetër libër që nuk kërkon kohë për ta lexuar, përkundrazi, ndërsa e ke në dorë, faqet kalojnë me shpejtësi njëra pas tjetrës, pasi të tilla janë ato çfarë ai ka treguar.

Me një kujtesë brilante pa limite, nga kapitulli i parë, “Fëmijëria, shkolla dhe karriera”, tek i fundit “Nëpër botë”, merr një informacion të jashtëzakonshëm të një karrierë të gjatë, me ngjarje, histori dhe të një jete sa familjare, aq edhe profesionale.

Dita e parë në një zyrë në “Radio Tirana”, ku e pret një mikrofon, një magnetofon “Uher”, si dhe puna shumëvjeçare në atë institucion. Emra pa fund, miq, shokë, kolegë, drejtues, marrëdhëniet me sportistë, artistë, takimet me figura të shquara botërore, gjithçka e lidhur me një përshkrim shoqërues tejet interesant.

Një libër që të tërheq, nisur edhe nga fakti siç shprehet Shqarri “që ka qenë një sfidë me vetveten, një mision i vështirë në pamjen e parë, pasi nuk ka tentuar të flasë dhe tregojë para një mikrofoni”, por në një rikthim edhe njëherë të të shkruarit, të lënë për shumë vite pas dore.”

Një libër në formë autobiografie, por i konceptuar me një stil tjetër, modern, ndryshe nga ato tradicionalë. Një libër shkruar thjesht, jo lodhës nga një gazetar shumë dimensional, që i ngjan një testamenti të bukur që Ahmet Shqarri ka kërkuar t’ia lërë familjes, në veçanti gruas, siç shprehet vetë ai dhe vajzat e tij, Kleita dhe Marsi: “Faleminderit babi”! Si dukur kur drejtonte emisionin më popullor në Shqipëri, “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, me energjinë që nuk i shteron, Shqarri nuk i ka rrëfyer të gjitha, sepse ka ende çfarë të kujtojë, të shkruajë dhe të tregojë.

(Video) Promovimi i librit më të ri të Ahmet Shqarrit, “Kur ke çfarë të kujtosh”. Pamje dhe përshëndetjet e pjesëmarrëse nga aktiviteti i zhvilluar në Peqin

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img