Komuniteti i sportit të qitjes së qytetit verior ka humbur një emër të njohur, ish sportistin dhe më pas edhe trajnerin Muhamet Fani. Nga sa bëjnë të ditur pjesëtarët e familjes Fani, Meti, siç e thërrisnin të gjithë në sport dhe në jetën e përditshme, dy ditë më parë ka pasur një shqetësim shëndetësor, që fillimisht nuk nuk është marrë seriozisht, por në vijim, zemra e 69 vjeçarit ka pushuar duke ndërruar jetë.
Një humbje e madhe kjo për familjen, bashkëshorten Fatmira dhe dy fëmijët e tij Denisi dhe Ervisa, si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes Fani. Por, në të njëjtën kohë edhe për kolegët dhe miqtë e shumë të sportit të qitjes, të cilët ishin të pranishëm në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit.
Njëri prej tyre, veterani i mirënjohur i sportit të qitjes, Halil Murati, bën të ditur se karriera sportive e Muhamet Fanit në sportin e qitjes shoqërohet në dy faza. Atë të sportistit në garën e tij të preferuar preçizion 1×60 ku pati rezultate pozitive, si dhe më pas si trajner, fillimisht me ekipin e të rinjëve ku me emra të tilë si, Saimir Logu, Adnan Kallogjeri, Kujtim Kopliku, Fauzel Bitri, Leonard Prela, Aleks Mile e Serjan Lishi, bëhet fitues i trefishtë i vitit 1983. Vit në të cilin fiton du trofetë më të rëndësishëm të sezonit, Titullin Kampion dhe Kupën e Shqipërisë, ndërkohë që këtyre trofeve i shtohet edhe i treti, duke u shpallur Muhamet Fani si trajneri më i mirë i vitit.
Në vijim, drejtuesit e klubit i besojnë ekipin e të rriturave, në përbërje të të cilit ishin, Drita Vjerdha, Domenika Hanxhari, Elda Gjergji, Etleva Gjerga, Rajmonda Sekuj, Agetina Simon, me të cilat Vllaznia renditet mes më të mirave të kampionatit.
Vetë mbiemri Fani, të risjell në vemendje një emër shumë të njohur dhe të respektuar në qytetin e Shkodrës dhe më gjërë. Bëhet fjalë për Fahri Fanin, një nga drejtuesit jetëgjatë të Klubit Sportiv Vllaznia, por edhe i spikatur në sektorin e arbitrimit, i cili pasionin për sportin ia kaloi djalit të tij, Muhametit, që fillimisht e nisi me futbollin dhe në vijim pozicionohet në sportin e qitjes. Traditë të cilën e përshkruan në prononcimin e tij për mediat Astrit Fani, i cili në fakt ai i përket artit, por është krenar për traditen sportive në familjen Fani.
Dhe, për të shkuar më tej, poligoni i qitjes Vllaznia, ishte vendi ku krahas ushtrimit të sportit, ndikoi në lidhjen bashkëshortore të Muhamet Fanit me shoqen e tij të jetës Fatmiren, qitësen e njohur të Vllaznisë. Domethënës është fakti, që edhe djali i tyre, Denisi, do të ishte më pas për shumë vite pjesë e administratës së klubit sportiv Vllaznia, aty ku më herët, gjyshi Fahri dhe më pas edhe babai Muhamet, japin kontribut maksimal për ngjyrat kuqeblu.
Portali Veriu Sport, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Fani për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe komunitetit të sportit të qitjes për humbjen e kolegut të tyre.
(Video) Ceremonia e përcjelljes për në banesen e fundit të ish qitësit dhe trajnerit të Vllaznisë, Muhamet Fani, si dhe prononcimet e qitësit veteran Halil Murati dhe përfaqësuesit të familjes Fani, Astrit Fani.
Gaspër MARKU