Peshëngritësi i talentuar shkodran, Sajmir Lagja është shfaqur protagonist në Kampionatin Kombëtar të kategorisë së moshës U-23, aktivitet ky i zhvilluar në qytetin e Durrësit.
Duke konkuruar në peshën deri në 71 kg, Sajmiri, i cili vazhdon traditën e babait të tij Artur Lagja, ish peshëngritës i Vllaznisë dhe sot trajner i kuqebluve dhe kombëtares kuqezi, është shpallur kampion i Shqipërisë, ndërkohë që arriti të përmirësojë edhe katër rekorde të reja kombëtare.
Konkretisht, rekordet e shkodranit Sajmir Lagja u vendosen në stilin e shkëputjes duke ngritur peshën 130 kilogran, ndërkohë që në stilin e shtytjes ngriti shifrën e 165 kilogramëve.
Një figurë shumë të mirë sportive në Kampionatin Kombëtar të Peshëngritjes bëri edhe peshëngritësi tjetër i talentuar i Vllaznisë, Antonino Mullisi, i cili duke konkuruar në kategorinë e moshës së 20-vjeçarëve për peshën 79 kilogram, u shpall kampion duke ngritur 130 kg në stilin e shkëputjes dhe 155 në shtytje.
Dy peshëngritësit e talentuar shkodran, Sajmir Lagja dhe Antonino Mullisi, të shoqëruar nga trajneri i kombëtares Artur Lagja do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror U23 që zhvillohet në muajin maj.
(Video) Pamje nga gara e peshëngritësve të talentuar shkodran Sajmir Lagja dhe Antonino Mullisi në Kampionatin Kombëtar për kategorinë e moshës U23 dhe U20)
Gaspër MARKU


