Pasditen e nesërme, Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore të planifikuar për këtë muaj ndaj Gjeorgjisë, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në ora 18:00. Në prag të kësaj sfide, trajneri i ekipit Kombëtar Edoardo Reja dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti kanë dalë në një konferencë për mediat ku kanë folur në lidhje me këtë miqësore dhe përgatitjet e skuadrës.
Trajneri Reja u shpreh se dëshiron që skuadra të bëjë të njëjtën paraqitje ndaj Gjeorgjisë, ashtu sikurse ndaj Spanjës, teksa theksoi se i kanë studiuar cilësitë e kundërshtarit të radhës. Reja zbuloi se tre emra kuqezi nuk do të jenë pjesë e ekipit për këtë ndeshje, Myrto Uzuni, Ivan Balliu e Keidi Bare, duke dhënë edhe arsyet se pse nuk do të bashkohen me ekipin drejt Shqipërisë. Tekniku kuqezi thekson se Gjeorgjia nuk duhet nënvlerësuar, teksa foli edhe për lojtarët që mund të hedhë në fushë pasditen e nesërme.
Një mesazh për tifozët përpara ndeshjes me Gjeorgjinë – Nuk kam ndonjë mesazh të veçantë sepse tifozët gjithmonë na kanë mbështetur dhe kanë qenë aty për ne dhe sigurisht që do t’i kemi pas edhe në këtë ndeshje. Kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj Spanjës mendoj, paraqitja ka qenë pozitive. Kishte entuziazëm të madh nga ana e skuadrës sonë. Spanja është një ekip favorit për të fituar Botërorin dhe i kemi parasysh shumë mirë se me kë rival jemi përballur. Në vija të përgjithshme, më ka pëlqyer loja e skuadrës time. Thjesht më vjen keq që pësuam atë gol në minutën e 90-të dhe duhet të punojmë shumë në këtë pjesë që të kemi më shumë përqëndrim në fushë deri në sekondat e fundit dhe të kemi më shumë fokus. Një barazim do të ishte një rezultat që do të na bënte shumë mirë në aspektin moral, por gjithsesi jam i kënaqur nga loja. Duhet theksuar edhe fakti që ka pasur dy gabime arbitrale, për të cilat nuk është folur shumë. Dy penallti. Ne i kemi parë edhe në përsëritje pas ndeshjes, ishte rasti i Cikalleshit që u rrëzua në zonë dhe kur e kemi riparë ishte një faull i pastër, por arbitri nuk e dha dhe një moment tjetër, kur një nga spanjollët e preku topin me dorë në zonë. Për të mos folur më pas edhe për golin e 2-1 që mendoj se erdhi nga një pozicion jashtë loje. Këto duhen thënë jo për t’u justifikuar, por duhen thënë për të vlerësuar sa më mirë situatën. Ne po rritemi. Kemi bërë paraqitje të mira dhe po bëjmë paraqitje të mira. Kemi vazhdimësi. Na mungon vetëm ai hapi cilësor i fundit që të bëjmë sa më pak gabime në mbrojtje apo të shfrytëzojmë sa më shumë raste në sulm. Besoj se kemi bindjen e duhur për të vazhduar dhe për të treguar progresin që kemi bërë.
Si do të luajë ndaj Gjeorgjisë dhe a e ka studiuar kundërshtarin – Sigurisht që unë do të doja të bënim të njëjtën paraqitje edhe ndaj Gjeorgjisë, ashtu siç luajtëm edhe ndaj Spanjës, pavarësisht se rezultati nuk ishte pozitiv në fund. Do të ketë shumë ndryshime edhe në mesfushë, por më duhet t’i vlerësoj të gjithë situatat, të gjithë lojtarët. Kush është në gjendje të mirë, kush ndihet më i lodhur dhe kush ndihet më i freskët. Në mesfushë do të ketë ndryshime, sepse Bare ka pasur shqetësime fizike pas ndeshjes dhe nuk është stërvitur dhe po e diskutojmë që të mos bashkohet me skuadrën në Tiranë, por të qëndrojë këtu dhe të rikuperohet. Për Balliun kemi pasur një akord që në fillim që ai do të ishte vetëm në ndeshjen me Spanjën dhe pastaj do të rikthehej te klubi ndërsa edhe Uzuni, sipas të gjitha gjasave do të qëndrojë te Granada, pasi duhet të bashkëpunojmë edhe me klubet. Ka pasur një kërkesë nga klubi i tij, për shkak të një ndeshjeje të rëndësishme në kampionat, na ka kërkuar që të mund ta lëmë të lirë dhe sigurisht ne nuk duam t’i prishim punë dhe mund ta lëmë të lirë te klubi. Sa i përket Gjeorgjisë, është një ekip shumë i fortë. Ka mundur Bosnjen, është një ekip i organizuar, teknik, shumë i vështirë. E kisha kërkuar që në fillim, dy sfida të vështira në këto miqësore, si Spanja edhe Gjeorgjia më kënaqin dhe na japin mundësi të krijojmë eksperiencë të rëndësishme, por edhe të rritemi dhe të tregojmë rritjen tonë. Ky ishte synimi, të kishim kundërshtarë të tillë dhe ia arritëm qëllimit. Sigurisht unë dua të aktivizoj minimalisht 20 lojtarë sepse duhet të kemi një grup kompetitiv për të arritur rezultate të rëndësishme dhe për të treguar rritjen tonë.
Nënvlerësim Gjeorgjisë? – Ne e kemi diskutuar shumë këtë pjesë me djemtë e skuadrës dhe nuk ka pasur në asnjë moment, në të gjitha ndeshjet e luajtura asnjë nënvlerësim, madje më kujtohet ndeshja ndaj Andorrës, ku ne kemi barazuar 2-2. Mendoj që ne e nënvlerësuam dhe bëmë gabim. Që atëherë, para se të nis grumbullimin, flas gjithmonë me djemtë dhe e nënvizoj shumë këtë aspekt, që nuk duhet të nënvlerësoj asnjë kundërshtar. Nuk duhet të kemi ulje të vigjilencës apo tensionit. Për mua miqësoret janë si ndeshje zyrtare, janë po aq të rëndëishme. Shoh te djemtë një motivacion shumë të madh dhe nuk kam aspak frikë në këtë aspekt. Jam i kënaqur me lojën dhe besoj se do të shikoni një ndeshje shumë të mirë nga ana e Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë.
Cikalleshi – Broja në sulm ndaj Gjeorgjisë? – Janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ne, por në sulm kemi disa lojtarë në formë shumë të mirë dhe po aktivizohen rregullisht me klubet. Përveç Cikalleshit dhe Brojës është Manaj, i cili po luan mirë me klubin dhe po shënon gola. Edhe Vrioni ka ardhur në formë, ka luajtur rregullisht me klubin në Austri dhe ka shënuar gola. Dua të bëj vlerësimet e mia sepse dua t’i provoj të gjithë. Mbase mund të ketë ndryshime, por Cikalleshi dhe Broja janë shumë të rëndësishëm. Duke menduar për të ardhmen, po shoh edhe lojtarë të tjerë më të rinj, si Muçi apo edhe të tjerë që luajnë me ekipet kombëtare të moshave. Janë të rinj dhe vazhdojnë të rriten. Seferi gjithashtu po bën mirë me klubin në Shqipëri. Janë lojtarë që tashmë i njoh dhe sigurisht do të më pëlqente të shoh edhe të rinj, pasi ne duhet të shohim përpara tek objektivi ynë që është të përgatisim skuadrën për Euro 2024 dhe të fokusohemi dhe te Liga e Kombeve që është po aq e rëndësishme për ne, që nis në qershor.
Kundërshtari i radhës – Sigurisht që Gjeorgjia është një kundërshtar krejt ndryshe, por kemi parasysh që është një skuadër që mbrohet mirë, vrapon shumë dhe është e rrezikshme në kundërsulm. E rëndësishme për ne është që të shfrytëzojmë karakteristikat e lojtarëve që kemi dhe të marrim maksimumin nga ata. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë një ndeshje teknikisht perfekte, të jemi shumë të përqëndruar në fushë, të bëjmë sa më pak gabime dhe të shfrytëzojmë sa më shumë raste dhe hapësirat që mund të na lërë Gjeorgjia në momente të ndryshme të lojës. Djemtë tashmë e dinë dhe janë të qartë për mënyrën se si duhet ta interpretojnë këtë ndeshje dhe se si duhet të luajnë. Gjithsesi Spanja është i vetmi ekip në botë që ka këtë filozofi loje, një ekip që mund ta prekë topin për 50 herë dhe ti nuk e sheh fare. Gjeorgjia është ndryshe nga Spanja, por nuk është aspak një rival më i dobët. Është një ekip i mirë dhe duhet të bëjmë një ndeshje të kujdesshmë. Gjeorgjia ka pikat e forta dhe të dobëta por për ne është e rëndësishme që të shfrytëzojmë çdo moment dhe të finalizojmë sa më mirë momentet që na paraqiten.
Edhe Berat Gjimshiti, i pyetur fillimisht nga gazetarët në lidhje me ndeshjen ndaj Spanjën, u shpreh se humbja erdhi si pasojë e përqëndrimit dhe se pavarësisht humbjes që ka sjellë mërzi në skuadër, ekipi ka parë edhe momentet e mira të lojës. Ndaj Gjeorgjisë do të jetë një ndeshje ndryshe thotë mbrojtësi kuqezi, teksa shpreson se tifozët do të jenë në fushë nesër.
Mentalitet, perceptim, administrim i minutave të fundit, pse humbëm ndaj Spanjës? -Të gjitha variantet që i pëmende nga pak besoj. Sidomos, kur e ke rezultatin në dorë në fund, nuk besoj që ka shumë nevojë teknike, por ka të bëjë më shumë përqëndrimi, që mos të bëhen gabimet dhe mos të pësojmë gol në fund. Ka të bëjë më shumë përqëndrimi sesa lodhja. Pas ndeshjes nervozohen të gjithë. Ishim të mërzitur në dhomat e zhveshjes, por ka të bëjë më shumë përqëndrimi siç e thashë. Një ndeshje mund të luhet edhe më shumë se 90 minuta, por përqëndrimi duhet të jetë gjithmonë, sidomos me këto skuadra të forta si Spanja, sepse për shkak të një gabimi, të bëjnë gol dhe është e vështirë të rikuperohet.
Të mërzitur nga humbja me Spanjën? – Më shumë zhgënjim, sidomos pas ndeshjes në dhomat e zhveshjes, çdokush ishte shumë i mërzitur sepse ishte një moment edhe historik për në, që luanim ndaj një Kombëtareje kaq të fortë dhe të merrnim atë rezultat në Spanjë si gjë e bukur dhe ishim të gjithë të mërzitur. Pastaj, çdo gjë ecën dhe duhet të mendojmë për të përmirësuar gabimet, pasi koha ecën dhe nuk e kemi në favor për të menduar për gabimet që bëmë. Çdo njeri në jetë bën gabime, por varet se sa përqëndrohesh për të mësuar nga gabimet. Në ditën pas ndeshjes çdo gjë shikohet me sy tjetër, sepse shikon gabimet, por shikon edhe gjërat që ke bërë mirë.
Hymë me frikë në fushë, ndaj humbëm? – Mund të flas më shumë për veten sesa për të tjerët, se si janë ndjerë, por unë nuk besoj që ka rol frika, sidomos në këto ndeshje ku i shijon 100% dhe sidomos kur ke edhe rezultatin në dorë dhe është gjëja më e bukur që ta mbrosh rezultatin dhe të merrnim diçka nga kjo ndeshje. Nuk besoj se është frikë, është më shumë përqëndrimi. Dhe gjërat që mund t’i bësh për 90 minuta, në 3 minutat e fundit ndoshta duhen bërë ndryshe. Besoj që çdo futbollist hyn në fushë dhe mendon më të mirën, nuk besoj se hyn në fushë dhe beson se do humbë 4-0. Çdo njeri që futet në lojë, jep gjithçka dhe pastaj ndikon fati, përqëndrimi..
“Mbrojtja italiane” – Nuk luaj duke qëndruar mbrapa dhe me topa të gjatë. Besoj se edhe lojtarët e tjerë nuk janë mësuar ashtu të luajnë futboll, sepse futbolli po bëhet më modern, nuk besoj se luajnë shumë skuadrat italiane ashtu. Por sigurisht që në minutat e fundit duhet të mbrohemi më mirë dhe të ikësh më mbrapa.
Tifozët dhe Gjeorgjia – Edhe me këtë ndeshje që bëmë kundër Spanjës, besoj se tifozët e kanë parë që lojtarët kanë dhënë gjithçka në fushë dhe besoj se do jetë një ndeshje ndryshe, sepse kualiteti teknik nuk është aq i lartë sa i Spanjës, por prapë është një ekip që vrapon shumë dhe mbrohet mirë. Por besoj që ndeshja do të jetë ndryshe, sepse do të kemi edhe ne më shumë raste për të qenë ofensivë.
(Video: Flasin, trajneri Edi Reja dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti)