Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka folur në konferencën zyrtare për mediat një ditë para ndeshjes me Andorrën, takim ky që do të luhet mbrëmjen e së hënës në stadiumin “Arena Kombëtare”, i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit 2026. Ndër të tjera, Gjimshiti, tha se me Andorrën është një sfidë e vështirë, pavarësisht se në letër mund të duket e lehtë. Ai vlerësoi ekipin e Andorrës, duke shtuar se ka një trajner që punon prej shumë vitesh me skuadrën, por theksoi se Shqipëria duhet të krijojë hapësira dhe të vendosë kundërshtarin në vështirësi për të siguruar tre pikët. Gjithashtu, Gjimshiti theksoi se skuadra është 100% e fokusuar te ndeshja e nesërme për të marrë fitoren para tifozëve në “Arenën Kombëtare”.
A mund të konsiderohet si ndeshja e parë eliminatore ndaj Andorrës? – Unë për vete jo, edhe atë lojë e konsideroj si mundësi, siç ishte me Anglinë. Sigurisht pas rezultatit besoj që ju e mendoni kështu, por ne si ekip nuk e mendojmë ashtu. Ishte mundësi për ne, Anglia është ekip botëror, luan për të fituar tituj. Nesër do të jetë një ndeshje tjetër, shumë e vështirë. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë të përqendruar te ajo ndeshje, sepse në letër ndoshta duket e thjeshtë, por në futbollin e sotëm nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të përqendrohemi 100% nesër.
Andorra? – Unë besoj që ata kanë një përparësi që kanë një trajner prej shumë vitesh, një ekip që luan shumë vite bashkë. Besoj që vështirësia do të jetë në nivelin fizik, se janë shumë të përgatitur dhe qëndrojnë shumë poshtë si mbrojtje dhe duhet të jemi ne ata që duhet t’i vendosim në vështirësi, që t’i vendosim në duele individuale me sulmuesit tanë, që të krijojnë hapësira për shokët, ajo do të jetë pika kyçe.
Presioni te skuadra? – Besoj që në futboll në çdo ndeshje ke presion, është ndryshe nga sa mund të jetë me Anglinë, sepse nesër ne jemi favoritë. Duhet të përballohemi me këtë presion, se në letër është e thjeshtë, por nuk është aq e thjeshtë. Kam qenë dhe unë pjesë e atij barazimi 2-2, ku në dy raste në kundërsulm na shënuan dy gola. I dimë vështirësitë, por do të jemi gati.
Biseda me tifozët? – Besoj se është parë dhe në video se çfarë është kërkuar. Nuk duhet të them unë tani se çfarë më kanë kërkuar tifozët, besoj që duket edhe në video. Ka qenë një pyetje për biletat, besoj që do të marrin masat dhe do e kalojmë edhe këtë vështirësi. Por ne jemi gjithmonë falënderues nga mbështetja e tifozëve. Unë shpesh e kam thënë që janë tifozët më të mirë në botë. Te Kombëtaret nuk shihen tifozët që bëjnë kaq zhurmë në stadiume, vetëm në klube. Jemi gjithë falënderues për tifozët dhe shpresoj që do na përkrahin si gjithmonë. Jam i sigurt që do e bëjnë.
Ngërç psikologjik për të luajtur topin kundër ekipeve me emër? – Kombëtarja është ndryshe, se nuk je me atë që luan gjithë ditën dhe nuk e di lëvizjet që bën shoku yt afër teje. Është psikologjike, kundër Anglisë të fusin poshtë dhe kur e ke topin nuk je i freskët që të bësh fazën sulmuese. Kjo është gjëja më e rëndësishme që na mungoi me Anglinë.
A do të rikthehemi te fitorja me Andorrën në Arenën Kombëtare? – Shpresoj, por nuk është se jam unë tani dhe do të fitojmë ndeshjen. Puna ime e parë është mos të pësojmë gol, pastaj për të shënuar janë të tjerët që kanë më shumë cilësi se unë. Kemi mësuar nga ndeshjet në Nations League dhe kemi biseduar edhe me trajnerin, si gjithë ekipi. Sigurisht që do të përmirësojmë në këtë edicion për kualifikueset e botërorit. Besoj që nesër do të jetë një Shqipëri ndryshe. Përpara tifozëve tanë ti japim lumturi dhe fitore.
Shqipëria duhet të bëjë Anglinë ndaj Andorrës? – Është shumë e vështirë. Ndodh shpesh edhe nëpër klube që përballesh me dinamika të ndryshme. Është e vështirë, por besoj se janë të gjithë profesionistë, lojtarët me eksperiencë i japin dorë të rinjve ose që kanë pak ndeshje me Kombëtare. Nesër do të jetë një lojë ndryshe dhe përballimi me presionin duhet të jetë 100% se mund të pësosh me këto kombëtare të vogla dhe bën edhe më shumë dëm nëse ndodh diçka negative.