Që prej mbrëmjes së mërkurë, kuqaeblutë e Vllazjnisë janë zhvendosur nga Shkodra në Durrës ku kanë vijuar përgatitjet për ndeshjen gjysmëfinale të “Final 4”, e cila do të luhet mbrëmjen e së dielës në “Air Albania” duke filluar nga ora 20:00. Në prononcimin e dhënë në pr ag të kësaj ndeshje, njëshi i pankinës kuqeblu, Thomas Brdariç shprehet se skuadra e tij është gati për ballafaqimin me Egnatian.
“Atmosferra në skuadër është shumë e mirë. Jemi para një ndeshje shumë të madhe, dhe të gjithë duan që ta kalojmë më sukses këtë përballje të vështirë. Luajmë përballë një skuadre shumë të mirë. Ne jemi ndeshur edhe më heret me këtë skuadër dhe e njohim lojën e saj, këto ditë kemi punuar në planin stërvitor sesi ta mundim Egnatian. Edhe pse rrogozhinasit kanë favor barazimin për të kaluar në finale, nuk e shikoj si minus për Vllazninë, sepse skuadra e jonë hyn në fushë vetem për fitore. Ky është momenti ynë dhe duhet ta tregojmë në fushë. Shpresoj që të kemi edhe fatin me vete, por jam i bindur se do të bëjmë shumë mirë kundër Egnatias për të qenë ne skuadra që do të shkojmë në finalen e madhe. Nuk ka qënë koha e bollshme për të implementuar idetë dhe skemat e mira, por lojtarët po përgjigjen mjaft mirë në proçesin stërvitor. Pikën më të fortë të skuadrës e shoh tek mentaliteti dhe kompaktësia për të luajtur të gjithë së bashku. Kam shumë besim që shkojmë në finale, dhe me ndihmën edhe të tifozëve të shumtë kuqeblu që pritet ta mbështesin Vllazninë në shkallët e stadiumit “Air Albania”, jam shumë optimist që do të triumfojmë edhe në finale për të çuar pas 23 vitesh pauze trofeun e titullit kampion në qytetin e Shkodrës.”, është shprehur ndër të tjera timonieri i skuadrës kuqeblu, Thomas Brdariç.
(Video) Prononcimi i trajnerit të Vllaznisë, Thomas Brdariç, një ditë para ndeshjes gjysmëfinale “Final 4” ndaj Egnatias.